Zgjedhjet janë një nga proceset më të rëndësishme të pluralizmit. Përmes votës, qytetarët shprehin të drejtën e tyre për të zgjedhur përfaqësuesin e tyre, qoftë në pushtet vendor, ashtu edhe në atë qëndror. Shqiptarët votojnë që prej marsit të vitit 1991.
Nëse do t’i referoheshim historikut politik dhe zgjedhor, që prej atij viti, qytetarët kanë zgjedhur e votuar pothuajse të njëjtat figura e emra.
Herë qeverinë Berisha nën siglën e Partisë Demokratike, herë qeverinë Nano nën siglën e Partisë Socialiste, Berishën përsëri e më tej kryeministrin aktual, Edi Rama. Kjo sa i takon pushtetit qëndror. Nga ana tjetër, një zgjedhje shumë e rëndësishmë është edhe pushteti lokal.
Prej 34 vitesh, shqiptarët zgjedhin me dëshirën e tyre, përfaqësuesin e bashkive ku jetojnë. Në shumë prej këtyre bashkive, ka emra që kanë mandate të tëra, duke e shndërruar pushtetin vendor në një monarki të vogël.
Kjo është vetëm njëra anë e historisë. Ana tjetër, ajo më flagrantja dhe e dhimbshmja, është mënyra se si e kanë hedhur votën qytetarët shqiptarë.
Nga zgjedhjet në zgjedhje, ajo që dominon dhe diskutohet më shumë, është shitblerja e votës. Ne si shoqëri kemi treguar jo rrallëherë se nuk e kuptojmë si dhe sa duhet fuqinë e zgjedhjes.
Duke e lëshuar pa fre. Duke e shitur herë në këmbim të vlerave të ulëta monetare, e herë në këmbim të një vendi pune sezonal.
Të mësuar me këto metoda, ende sot, jemi të paaftë të vendosim në krye të pushtetit vendor apo qëndror një njeri që mendon me të vërtetë për popullin dhe jo për ‘xhepat’ e tij.
Ndoshta për të shkuar sadopak pranë lirisë së zgjedhjeve, do të duhen breza të tërë, sepse edhe ne sa jemi, ndoshta edhe fëmijët tanë do të lindin të infektuar me këtë fenomen, vrastar për të ardhemn, e minues të demokracisë.
Nga Aida Topalli