Sherret që pasojnë vrasje nën “presionin“ e kanunit
Nga Aida Topalli
Një konflikt “pse më pe, pse të pashë”, tipik i shoqërisë shqiptare, përfundoi me 3 viktima.
Gjithçka nisi në datat 25-26 shkurt, në zonën e njohur si “Kryqëzimi i Valutës” në qytetin e Kavajës. Edmond Gosa dhe Altin Rexha, të dy banues në qytet, njëri vendas e tjetri i ardhur nga Kukësi, u konfliktuan pikërisht për një shikim.
Konflikt i cili vijoi edhe në takimin e radhës, më datë 1 mars. Të dy persona problematikë, mbanin armë zjarri e të ftohta, me të cilat vranë më pas njëri-tjetrin.
Dhe po sërish, siç e kemi ne shqiptarët, konflikti me gjasë duhej mbyllur aty, me hesape të lara mes njëri-tjetrit.
Por jo, siç e do zakoni kanunor, familja Rexha mblodhi burrat, dhe me vendim të kryesisë së fisit, Habib Rexha, duhet të merrte hak.
Pse Habibi dhe jo ndonjë nga vëllezërit e tjerë?
Meshkujt e familjes Rexha i lanë si detyrë më të voglit, hakmarrjen për vëllanë e vrarë dhe vrasës. Beqar dhe mëngjarash, Habib Rexha ruajti momentin më pikant, pikërisht kur shenjestra e tij qe në kafene me babain e plakur tashmë.
Me një plumb në kokë la të vdekur në vend Arjan Gosën. U largua disa metra më këmbë dhe u ngjit në automjetin e tij, për të ikur në drejtim të Durrësit, e ndoshta ndoshta, edhe në Kukës, në vendlindjen e tij.
Teksa kanë kaluar 24 orë, policia ende nuk ka mundur të bjerë në gjurmët fizike të tij. Arma e krimit nuk është hedhur, gjë që tregon se një personazh i rrezikshëm, me kode të forta kanunore, endet rrugëve i armatosur.
Sakaq, blutë e Tiranës kanë ofruar shumën prej 10 mijë eurosh për këdo që jep informacion të vlefshëm për vendndodhjen e Habib Rexhës, personin që ekszekutoi pasditen e djeshme Arjan Gosën.