‘Replika.al’ zbardh statistikat/ Trefishohet numri i grave dhe vajzave të dhunuara në Shqipëri

Nga ‘Replika.al’

 

3760 gra dhe vajza janë dhunuar vitin që lamë pas, nga 1374 që ishin në vitin 2021.

Në zyrat e policisë së shtetit, raportohet për 5213 të dëmtuar nga dhuna dhe nga krimet e tjera në familje, nga të cilët 3760 janë gra/vajza. Nga kjo shifër, 2205 prej këtyre grave dhe vajzave të viktimizuara janë lëshuar urdhëra të menjëhershëm mbrojtjeje.

 

Përtej të rriturve, që shkaktojnë dhunën apo të dëmtuarit të parë, një pasojë po aq e rëndë kalon edhe tek të vegjlit. Përgjatë 2022-shit,  të dëmtuar nga dhuna dhe krime të tjera të ndodhura në familje, janë 266 fëmijë, 109 prej të cilëve janë pajisur me urdhër mbrojtjeje.

Për veprën penale “Dhuna në familje”, ka filluar procedimi penal për 1884 raste. Të dëmtuar nga kjo vepër penale kanë qenë 1370 gra/vajza dhe 107 të mitur.

Janë evidentuar 10 raste të veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal.

 

Dhuna në familje është një fenomen kaq i përhapur në shoqërinë shqiptare.  Herë me shkak ekonominë e dobët, herë me shkak abuzimi me pijet alkoolike apo drogërat, nga ato të lehta e deri tek të fortat, e jo rrallëherë lojërat e fatit.

 

Gra që dhunohen psikologjikisht e fizikisht, madje, në disa raste, dhuna ka shkuar deri në ekstrem, duke përfunduar me vrasje.  Në vitin që lamë pas, raste të tilla të dhunës në marrëdhënie familjare, ishin sërish në shifra tejet shqetësuese.

 

Burimi: Policia e Shtetit dhe INSTAT

 

Gazetare: Aida Topalli

 

 

*Ky është artikull ekskluziv i “Replika.al” që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Replika.al” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.