Pesë orët e tensionit në gjyq të Metës ndaj 3 prokurorëve të SPAK! Ish-presidenti kërcënoi Dumanin: Qen, mbaje mend çfarë kam për të të bërë!
Për më shumë se 5 orë, kreu i PL, Ilir Meta qëndroi në sallën e gjyqit të GJKKO, për të mësuar më pas dënimin me burg.
Gjuhën e ashpër ndaj drejtësis Meta artikuloi edhe në dyert e gjykatës, përballë 3 prokurorëve të SPAK të cilët kërkuan arrestimin e tij, Altin Dumanit, Arben Krajës dhe Sotir Kllapit. Në nisje të seancës me dyer të mbyllura, Meta iu drejtua me kërcënime të hapura, fjalë të rënda dhe ofenduese ndaj kreut të SPAK, duke e cilësuar “Dumduman”, “Qen” dhe madje ka kapur veshin duke i thënë “Këtu ta kam, mbajë mend çfarë kam për të të punuar”.
Nga ana e tyre të tre prokurorët nuk reaguan por mbajtën qetësinë. Të njëjtën gjuhë përdori ndaj tyre edhe Monika Kryemadhi, e cila në eksperiencën e saj të parë me një seancë, ashtu siç paralajmëroi në hyrje të Gjykatës së Posaçme, u kujdes më shumë të shohë fytyrat e hetuesve dhe nivelin e tyre të inteligjencës. Gjuha e ashpër u qetësua me ikjen e Dumanit për shkak të axhendës dhe rinisjen e seancës në orën 13:30.
Për babain e deputetes Erisa Xhixho, Piro Xhixho nga arrest shtëpie për korrupsion pasiv gjykata caktoi detyrim paraqitje për shkak të gjendjes shëndetësore, ndërsa për Ema Cokun, mike e Kryemadhit mbeti në fuqi në masa detyrim paraqitje për pastrim parash.
SPAK arrestoi më 21 tetor 2024 kreun e Partisë Ilir Meta, nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj Monika Kryemadhit.
Çifti Meta-Kryemadhi akuzohen se ndër vite kanë ushtruar pushtetin e tyre për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme dhe kanë fshehur burimin e tyre duke përdorur edhe familjarët. 2 dosjet ndaj Metës, Cez-Dia dhe lobimi në SHBA janë bashkuar tashmë në 1 hetim.
Ndaj Piro Xhixhos, babai i Erisa Xhixhos, rëndon akuza korrupsion pasiv. Sipas SPAK ai dyshohet se ka shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP-it, ku u propozua nga LSI-ja, dhe në zbatim të porosive të marra nga Meta dhe Kryemadhi ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes, si dhe ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP. Ndërsa ndaj Ema Çokut rëndon akuza e pastrimit të parave.