Një lajm i rremë në vorbullën e propagandës qeveritare
Nga Klesjana Omeri
“Balluku “leksion” fëmijëve për energjinë: Në Zvicër futesh në burg nëse e mban kondicionerin mbi 19 gradë”. 14 shtator 2022
“Rama: 3 vjet burg në Zvicër për energjinë.” 8 shtator 2022
“Zvicra nuk i dënon me burg qytetarët që e mbajnë kondicionerin mbi 19 gradë.”
“3 vjet burg në Zvicër për energjinë, e pavërtetë”, Rama pranon keqkuptimin: Kërkoj ndjesë. 17 Shtator 2022
“Kondicioneri 19°C të fut në burg në Zvicër’, tërhiqet Rama: Ishte keqkuptim, lajmi u përhap nga mediat zvicerane!” Sep 17, 2022
Lajmet e rreme janë konsideruar gjithnjë si tregues i një gazetarie të dobët. Por çfarë ndodh kur një lajm i rremë shpërndahet jo nga një gazetar apo medie, por kryeministër? Përgjigjen e kësaj pyetje e gjejmë lehtë në Shqipëri.
Në kushtet e krizës energjitike për shkak të luftës në Ukrainë, në shtator të vitit që lamë pas, qeveria shqiptare nisi një fushatë ndërgjegjësimi për kursimin e energjisë elektrike. Për ti vendosur qytetarët para përgjegjësisë dhe pasojës, u shfrytëzua Zvicra, që sipas kryeministrit Rama dhe ministres së Energjisë Belinda Balluku, kishte marrë masa ekstreme, deri në burg nëse kondicioneri cohet në 19 gradë celcius.
Titujt e lartpërmendur mbizotëruan edicionet kryesore të lajmeve dhe shumë portale. Fushata nuk përfshiu vetëm deklarata por edhe takime me qytetarë.
Nisur nga këto deklarata me shumë ndikim në opinionin publik, media online, Faktoje.al bëri një verifikim duke u interesuar në qeverinë zvicerane. Qeveria Zvicerane mohoi vendimmarrjen për dënimin me burg për rastin në fjalë.
“Faleminderit për mesazhin tuaj dhe për përpjekjet tuaja për verifikim. Një artikull në gazetën Blick është keqkuptuar ose riprodhuar gabimisht nga anëtarë të caktuar të publikut. Aktualisht në Zvicër nuk ka mungesë të energjisë elektrike apo gazit natyror. Prandaj nuk ka në fuqi kufizime apo ndalime për përdorimin e energjisë që mund të shkelen”, thuhej ndër të tjera në përgjigjen zyrtare.
Nga kërkimet e medias reultoi se qeveria në Zvicër ka kërkuar nga qytetarët që vullnetarisht të reduktojnë me 15% përdorimin e gazit në periudhën Tetor 2022-Mars 2023.
Kjo përgjigje nga qeveria e Zvicrës iu komunikua kryeministrit Edi Rama nga gazetarja Klesiana Omeri, teksa ishin në një konferencë virtuale. Kreu i qeverisë pranoi se ishte keqkuptuar dhe se kishte rënë pre e informacioneve të rreme.
Nuk u mjaftua me kaq. Në rrjetin e tij social, facebook kryeministri publikoi disa artikuj mediash zvicerane ku ishte bazuar.
https://nationworldnews.com/crisis-in-switzerland-heating-…/
https://www.dailymail.co.uk/…/Switzerland-considers-JAILING…
https://www.20min.ch/…/de-lourdes-sanctions-guettent-ceux-q…
Situata tregoi papërgjegjshmërinë e një institucioni që pa bërë një verifikim, nis një fushatë me shumë ndikim në publik.
Në një kohë kur qeveria do duhej të gjente mekanizma për të lehtësuar jetën e qytetarëve, përdori formën e ndërgjegjësimit nëpërmjet frikës. Për këtë, në ndihmë i erdhi një lajm i rremë.
Çfarë kuptojmë nga kjo situatë:
Terrenin mediatik. Një logo e madhe nuk e bën një media profesionale, pasi shumë prej tyre e morën të mirëqenë dhe e transmetuan. Shumë pak kontribuan në gjetjen e vërtetësisë.
Ka ende gazetarë që luftojnë për informim të saktë. Tregues janë përpjekjet për të verifikuar lajmin e shpërndarë nga qeveria dhe për të vendosur para përgjegjësisë kreun e qeverisë.
Rëndësinë e ndërgjegjësimit, për gazetarët që nuk duhet të marrin të mirëqenë çdo deklaratë të zyrtarëve dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për të qenë të vëmendshëm dhe dallues të lajmeve të rreme.