Lirimi i Safet Bajrit, pikëpyetjet e belgëve dhe e vërteta e institucioneve Shqiptare: ‘Dënimin e përfundoi ditë më ditë’

Nga Aida TOPALLI

Një ditë më parë, media belge ‘Nieuwsblad.be’, i dedikoi një artikull të plotë lirimit të Safet Bajrit. Në shkrim ngriheshin pikëpyetje të shumta mbi mënyrën se si u lirua. Shtuar këtu edhe kritikat ndaj sistemit të drejtësisë dhe qeverisë shqiptare.
Belgët e kanë etiketuar shpesh Safet Bajrin si një njeri me rrezikshmëri të lartë shoqërore, duke i rënduar kështu edhe pozitat. Ai akuzohet nga drejtësia atje për veprat penale të ‘Shfrytëzimit të Prostitucionit’ dhe ‘Trafikimit të lëndëve Narkotike’.

Safet Bajri, apo siç njihet ndryshe edhe si Safet Rustemi, ka një kalvar të gjatë sa i takon problemeve dhe përballjeve me drejtësinë. Për herë të fundit ai u arrestua në Tiranë, më 21 shtator 2018, në kuadër të operacionit të koduar ‘OAZ’. Një operacion në të cilin u godit i gjithë grupi Bajri në fakt.
Bajri u vu në pranga për llogari të shtetit belg. Menjëherë pas kapjes së tij, lindën edhe pikëpyetjet mbi ekstradimin drejt vendit ku edhe ‘kishte rënë çekiçi i togave të zeza’.
Por Shqipëria dhe Belgjika nuk kanë një marrëveshje ekstradimi. Për këtë arsye, mes instancave shtetërore dhe atyre të drejtësisë, u ra dakord që Safet Bajri (Rustemi), ta vunate dënimin e tij në një nga burgjet shqiptare.
Fillimisht në burgun 302 në kryeqytet, për t’u zhvendosur më pas në burgun e Fierit, dhe vetëm pak muaj para përfundimit të dënimit, ‘i forti’ i Shkodrës u transferua në burgun e Lushnjes.
Bajri duhet të kryente dënimin e tij prej 9 vitesh burg, për veprat penale ‘Shfrytëzim Prostitucioni’ dhe ‘Trafik lëndësh narkotike’.
Përtej këtij sqarimi në vija të përgjithme, le të rikthehemi edhe njëherë tek artikulli i kolegëve tanë belgë.
A e përfundoi Safet Bajri dënimin e tij? Pse ai bëri vetëm 6 vjet burg, dhe jo 9 vjet sa ç’ishte dënuar?
Nëse rikthehemi pas në kohë dhe hapim letrat, Safet Bajri ka qëndruar në paraburgim si në shtetin belg, ashtu edhe në këtë shqiptar. Sikurse e parashikon ligji, çdo ditë në paraburgim, është e barabartë me një ditë e gjysmë burg.
Vetëm në vendin tonë, ai qëndroi dy vjet në paraburgim, duke ju përllogaritur kështu si 3 vite burgu. Shto këtu edhe dy paraburgimet në Belgjikë. E në fund edhe 2 vjet e katër muaj burg normal.
Një matematikë e thjeshtë që i nxjerr institucionet shqiptare totalisht të pastra përpara akuzave apo pikëpyetjeve të ngritura nga mediat apo homolgët e tyre në shtetin ku ka marrë dënimin Safet Bajri.
Nga ana tjetër në po të njëjtin artikull, flitet edhe për faktin se përse Safet Bajri nuk u dënua me 22 vite nga drejtësia shqiptare, por vetëm me 9?

Sikurse sqarohej edhe në artikull, dy gjyqet e tjera janë zhvilluar në mungesë dhe nuk ekziston asnjë marrëveshje që vendime të tilla të implementohen në Shqipëri. Janë dy argumenta mëse të mjaftueshme, që e bëjnë të panevojshme ngritjen e alarmit nga mediat vendase atje.
Megjithatë, për të vërtetuar nëse Safet Bajri e ka përfunduar ditë më ditë dënimin e tij, disa burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, i thanë ‘Replika.al’ gjithçka është bërë konform rregullave.
Bajri u lirua më 26 janar 2023, në orën 1:20 të mëngjesit.