Krijoi skema mashtrimi/ Arrestohet në Kosovë Ardit Kraja, bashkëshorti i Ilda Bejlerit

Biznesmeni i njohur në Shqipëri si ‘bossi’ i lojërave të fatit, ish pronari i “Superbast”, Ardit Kraja, është ndaluar të martën nga Policia e Kosovës, në njërën nga pikat kufitare.

Replika mëson 49-vjeçari Kraja u ndalua në Vërmicë dhe pas verifikimit rezultoi se ndaj tij kishte dy urdhëresa aktive të lëshuara nga dy gjykata në Kosovë.

Urdhër arrestet ndaj Krajës janë lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren dhe ajo në Mitrovicë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se pas ndalimit, gjyqtari i rastit ka urdhëruar që biznesmeni shkodran fillimisht të intervistohet nga Prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i cili ka urdhëruar që Kraja të ndalohet për 48 orë.

Brenda afatit ligjor pritet të ndërmerren veprimet e tjera të nevojshme.

Kraja, i cili është bashkëjetuesi i moderatores Ilda Bejleri, është përfolur se organizon lojëra fati të paligjshme edhe në Shqipëri. Madje Kraja është bërë gati për të marrë një licencë të lojërave të fatit.

Në disa portale shqiptare u publikuar lajmi i arrestimit dhe u zhduk brenda disa minutave.