“Janë këputur hallkat”/ Vrasja e Stiven-it, këmbanë alarmi!

Nga Aida Topalli

Një tjetër mëngjes agoi mizorisht! Faqet e para të gazetave u mbushën me lajmin për vrasjen me thikë të një 20-vjeçari. Stiven Toshkezi, sapo kishte lënë turnin si montazhier. Një i ri që ndryshe nga shumë të tjerë, kishte zgjedhur të punonte.

Pak ditë më parë, Stiven kishte bërë një debat. Një histori dashurie kishte ndezur një konflikt mes disa shokësh e të njohurish.

Histori të dëgjuara jo rrallë në vendin tonë. Krimet e pasionit kanë sjellë shpesh viktima. Krim që nuk kurseu as Stivenin.

Dhe mbrëmë, teksa kthehej nga puna, siç e thamë më lart, dy djem e prisnin në rrugën e Dibrës. I zunë pritë Enzi dhe Akseli. Njëri i hapi derën e makinës dhe e izoloi që të mos kishte mundësi të lëvizte. Tjetri, mizorisht, e goditi pas shpine me hanxhar. Një akt barbar, njerëzish gjakftohtë. Tipar i frikshëm qeniesh njerëzore.

Një tjetër i ri iku. Iku dhe na la pas pasigurinë se nesër mund t’i ndodhë kujtdo.

Me këta adoleshentë që fatkeqësisht sa vijnë e rebelohen. Me të rinj që konsumojnë lëndë narkotike e marrin si model jetese Tik-Tok-istët dhe “Përputhen”.

Sot, veprimi i dy të rinjve që i morën jetën Stivenit, na hapi sytë fort përballë një realiteti që duhet të ndryshojë një orë e më parë.

Këtë nuk e bën dot askush i vetëm. Këtë e bën prindi në shtëpi. Këtë e bën mësuesi në shkollë. Këtë e bën psikologu. Këtë e bën SPZ i zonës. Këtë e bën ai shitësi apo kasapi që duhet të raportojë kur një i ri blen një hanxhar.

Janë disa hallka që janë këputur. Por që duhet me domosdoshmëri të bashkohen përsëri.