Gangrenë sociale/ Si u rekrutua i mituri për të vendosur tritol …

Nga Aida Topalli

Sot është data 1 qershor, festa e fëmijëve. Shumë festojnë, por për fat të keq, shumë fëmijë arrestohen e shoqërohen për shkak të konflikteve me ligjin. Në vend të festës sot, mësues të dashur, kushtojani vëmendjen tuaj sensibilizimit të të ardhmes.

Në një njoftim të mbërritur sot nga DVP Tiranë, ku shpjegohet lidhur me zbardhjen e një ngjarjeje, një fenomen tjetër shqetësues del në pah. Një i mitur 16 vjeç, në këmbim të një shume të vogël parash, u rekrutua dhe pranoi të vinte një sasi tritoli. Kështu ai u kthye në një kriminel. E në vijim të kësaj, në shtëpinë e tij u gjet edhe një mekanizëm arme.
Ndër vite, sidomos së fundmi, të miturit dita ditës po përfshihen në ngjarje të rënda kriminale. Në plagosje, vrasje, vjedhje, shitje lëndësh narkotike e më keq akoma, edhe konsumim. Replika, në vijim, do të dedikojë dokumentare kësaj gangrene dhe plage shoqërore, që nuk po gjen dot shërim.

Njoftimi i plotë 

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 25.05.2023, në rrugën “Fadil Deliu”, ku shpërtheu një sasi lënde plasëse në portën e jashtme të një fasonerie.

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “Explosion”.Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga një 46-vjeçar dhe një 16-vjeçar.

46-vjeçari dyshohet se ka shtytur 16-vjeçarin, duke i ofruar një shumë parash, për vendosjen e sasisë së eksplozivit, nga shpërthimi i së cilës u shkaktuan vetëm dëme materiale. Sekuestrohen një biçikletë e përdorur nga 16-vjeçari, e dyshuar e vjedhur më parë, veshje që ai ka përdorur gjatë vendosjes së eksplozivit dhe një mekanizëm arme.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5 dhe atë të Himarës, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur me datë 25.05.2023, në një fasoneri në rrugën “Fadil Deliu”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Explosion”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit E. A., 46 vjeç dhe i një shtetasi 16 vjeç. Nga veprimet hetimore dhe provat e siguruara dyshohet se 46-vjeçari e ka shtytur 16-vjeçarin, duke i ofruar shumë 100 000 lekë të rinj, për të vendosur sasisë e lëndës plasëse në fasonerinë në pronësi të shtetasit R. G.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një biçikletë e përdorur nga 16-vjeçari, e dyshuar e vjedhur më parë, veshjet që ai ka përdorur gjatë vendosjes së eksplozivit, si dhe një mekanizëm shkrehës arme, e cila u gjet gjatë kontrollit të banesës së shtetasit E. A. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.