Fushata e 14 majit/ Si virtualiteti, show dhe arti zbehën bazën

Nga Aida Topalli 

 

Nga veriu në jug, nga Konispoli në Vermosh, sloganet partiake kanë pushtuar vendin. Njësh me to edhe fushata elektorale. Gara duket të jetë e ethshme.

Nga njëri krah mazhoranca, e nga krahu tjetër koalicioni Bashkë Fitojmë e Partia Demokratike, shto këtyre edhe kundërshtarët e partive të vogla.
Emra botërisht të njohur, e disa të tjerë të padëgjuar më parë, janë në garë për të kryesuar bashkitë e vendit. Kush i përfolur për probleme me drejtësinë, kush kryetar i mëhershëm, e kush tjetër i përfolur për kalimet nga një parti politike në tjetrën. Kjo është pasqyra e përkthyer në fjalë, e emrave të vendosur në listat zgjedhore si kandidatë për kryetarë në 61 bashkitë e vendit.

Më shumë se sa garë me njëri-tjetrit e kundër njëri-tjetrit, këta kandidatë, garën më të madhe, duket se e kanë me numrin e personazheve VIP që rekrutojnë në mbështetje të tyre. Më e ashpër, kjo luftë, është në kryeqytet.
Dhjetëra emra artistësh e prezantuesish shqiptarë, kanë harruar misionin e tyre, duke u fokusuar totalisht në fushatë elektorale.

Madje, kandidatët, fushatën e vërtetë po e bëjnë në rrjete sociale. Me video, slogane e deklarata nga më të çuditshmet. Hera-herës shoqëruar edhe me gjeste të turpshme e të pavend, me një qëllim të vetëm, që të bëhen viralë.
Kjo fushatë elektorale, ngjan më shumë me një format ‘Big Brother’, me skenar të shkruar nga produksioni, që nuk ju mbetet gjë tjetër banorëve, veçse të bëjnë çtë munden që të bëhen të preferuarit e publikut.
Kulmi, apo nata finale, pritet të mbahet më 14 maj. Ditën kur shqiptarët do të vendosin për fatin e të preferuarit të tyre. Deri atëherë, rrjeti do të pushtohet me të tjera pamje shokuese, aspak të përshtatshme për kostumet e një politikani.