E PLOTË/ Ilir Meta i pari ish-president që përfundon në prangat e policisë

Për herë të parë në Shqipëri, një prej funksionarëve më të lartë të jetës politike përfundon në prangat e policisë.  Arrestimi i Ilir Metës me urdhër të SPAK shënon ndoshta edhe rastin e parë që një ish-president, ish-kryeministër dhe kryetar partie përfundon në burg.

Ndalimi i Metës është bërë në kuadër të hetimeve për çështjen e Pasurisë. Meta po hetohet në SPAK për skandalin CEZ-DIA, lobimi në SHBA. Nuk dihet se për cilën çështje është ekzekutuar urdhër arresti. Ndërkohë, ndaj Metës dhe familjes së tij ka edhe hetim pasuror. Meta ishte në makinën e tij rrugës drejt Selisë së PL kur është bërë e mundur kapja nga BKH.

Ilir Meta ka shërbyer si President i Shqipërisë nga 24 korriku 2017 deri më 24 korrik 2022. Më parë ai shërbeu si Kryeministër nga 1999 në 2002. Ai ishte Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë nga 2013 në 2017. Meta gjithashtu mbajti poste si Zëvendës Kryeministër, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë.

Para kësaj, ai mbajti Kryesinë e Komisionit Parlamentar të Integrimit Evropian. Meta themeloi Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI) në 2004 sot Partia e Lirisë e cila drejtohet prej tij.

Meta ka qenë 15 vite deputet i Kuvendit të Shqipërisë, dhe një nga figurat kryesore politike shqiptare. Ai konsiderohet si krijuesi dhe drejtuesi i Polit të Tretë në Politikën Shqiptare. Meta është Presidenti i parë në historinë e Shqipërisë që është i fajësuar nga Parlamenti i Shqipërisë.