Debate të forta në Parlament/ PS propozon ligj për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje, Opozita bllokon foltoren

Kuvendi u përfshi në debate e tensione për shkak të pr/ligjit të propozuar nga PS për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale për të cilat kërkoi të kalojë me procedurë të përshpejtuar.

PD e quan propagandë pasi thotë se PS po zbaton dy vite me vonesë një vendim të Gjykatës Kushtetuese që i ka cilësuar antikushtetuese.  

Deputeti i PD, Dashnor Sula i kujtoi mazhorancës rastin kur një i dënuar për vjedhjen e energjisë vari veten në burg.

“A ju kujtohet i ndjeri Qamil Zela që vari veten për 38 mijë leke në Rrogozhinë? E futet në burg dhe vari veten.  Harruat atë nënën në Vlorë që e futët në burg për një kotec pulash. I harroni këto ju?! Ju jeni të çuditshëm. Harruat që i futet fshatarët që i ndoqët për ndjekje penale”, tha Sula.

Gjatë përplasjeve në Kuvend për projekligjin për faljen e gjobave të propozuar nga PS, Majko u tregoi deputetëve të PD-së se si të bëjnë opozitë.

Ne po flasim për falje gjobash, e keni barazuar sjelljen e keqe dhe të paedukatë me të bërit opozitë. Të fyesh nuk është opozitë, por është paedukatë. Ju mendoni se do ju vlerësojnë si partizanë të së drejtës, në veri dhe Jug njerëzit vlerësohen nga pesha e fjalës, jo nga mënyra e të ulëriturës” tha ai. 

Gjatë një momenti tensioni Bardhi iu drejtua një kolegu të PS, duke i thënë “ik pirdhu, legen”, por nuk dihet kujt ia drejtoi këto fjalë.

“Ligjet nuk vijnë me sms, tregoje. Gënjyet Kuvendin. Po e con tani, ke letra dhe firma me fletë të bardhë” tha Bardhi.