Arrestimi i Safet Gjicit/SPAK një javë më parë kontrolle në shtëpinë e gruas së videoskandalit
Gjatë pasdites së djeshme u arrestua me kërkesë të SPAK dhe urdhër të Gjykatës së Posaçme ish-kryetari i bashkisë së Kukësit Safet Gjici. Mësohet se një javë më parë SPAK bëri kontroll në shtëpinë e vajzës e cila shfaqet në videoskandalin e Gjicit.
Gjici është arrestuar nën ambientet e një lokali pranë shtëpisë së tij tek Vilat Gjermane. SPAK nga hetimet ka rezultuar se ka siguruar prova që e implikojnë në veprën penale të korrupsionit SPAK ka sekuestruar pajisjet me të cilat dyshohet se është realizuar video-përgjim, ndërsa pajisjet janë dërguar për ekspertim dhe do të shihet nëse kanë regjistrime të tjera.
Pavarësisht se fillimisht SPAK nisi hetimet kryesisht në lidhje me akuzën “Shpërdorim detyre” pas publikimit të videoskandalit. Ndaj Gjicit rëndojnë gjithashtu akuzat për “Korrupsion pasiv” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, pasi në videon e plotë të publikuar dilte në pah biseda e tij me gruan me të cilën kryente marrëdhënie, për një tender për sterilizimin e qenve.
Kryetari i Bashkisë së Kukësit i rizgjedhur më 14 maj, Safet Gjici dha dorëheqjen më 16 qershor pas video-skandalit. Video është filmuar në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Kukësit dhe u shpërnda gjerësisht në rrjete sociale.
Gjici është kryebashkiaku i dytë Socialist që dorëhiqet pas një ngjarje të ngjashme. Pasi u arrestua në maj të vitit 2016, ish-kryebashkiaku i Dibrës Shukri Xhelili u dënua me 1 vit e 8 muaj burg, përfshi kohën e paraburgimit, për akuzën e “marrëdhënies seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën”. Xhelili u arrestua pas transmetimit të një kamera të fshehtë ku ai shfaqej duke i ofruar një vend pune një vajze në këmbim të favoreve seksuale.