Antibiotikët pa recetë tek fëmijët, rrezik për shëndetin dhe shkelje ligjore
Virozat e fundit në vend kanë nxjerrë në pah edhe një sërë problematikash në lidhje me trajtimin e tyre, të cilat trajtohen shpesh me antibiotikë që merren pa recetë.
Farmacisti kështu merr rolin e mjekut , me këtë rast dëmton dhe fëmijën.
Shumica e prindërve janë të familjarizuar me antibiotikët pasi janë ndër medikamentet më shpesh të përdorura . Shpesh herë antibiotikët keqpërdoren dhe në këto kushte gjendja e fëmijës jo vetëm që nuk përmirësohet, por mund të përkeqësohet. Marrja e antibiotikëve pa recetën e mjekut pediatër është një e keqe e madhe që po ju bëhet fëmijëve. Një problematikë kjo që shoqërohet jo vetëm me përkeqësimin e shëndetit të fëmijës por edhe me një shkelje ligjore nga farmacistët të cilët e kanë të ndaluar të shesin ilaçe pa recetë.
“Tregtimi i barnave në farmaci ose në agjenci farmaceutike pa recetën e mjekut, me përjashtim të barnave OTC, dënohet me 50 mijë lekë gjobë dhe, në rast përsëritjeje, me heqje të licencës” thuhet në project ligjin e miratuar në vitin 2004.
Doktoresha pediatre, Mira Kola, në një intervistë të dhënë për “Replikën”, rekomandon prindërit se kur ata duhet t’u japin antibiotikë fëmijëve të tyre.
Mjekja shpjegon se ka një keqinformim të përgjithshëm në lidhje me përdorimin e antibiotikëve, llojin e tyre dozën dhe kohëzgjatjen e trajtimit. Të gjendur në kushtet ku në çdo farmaci mund të marrësh antibiotik pa të kërkuar recetë prindërit bëjnë zgjidhjen më të thjeshtë, marrin antibotik vetëm me këshillat e farmacistes.
“Këshilla me thelbësore për prindërit është që asnjëherë të mos nisin antibiotikë pa u konsultuar paraprakisht me mjekun. Zgjedhja e një antibiotiku duke u konsultuar vetëm me farmacistin mund të dëmtojë më shumë shëndetin e fëmijës tuaj” thotë Kola.
A shkaktojnë antibiotikët efekte anësore?
Një në 10 fëmijë që janë duke përdorur antibiotikë do të shfaqë efektet anësore. Efekte te tilla mund të përmendim, reaksionet alergjike, të përzierat, të vjellat, diarreja dhe dhimbja e stomakut.
Në disa raste mund te kemi shfaqjen e rashit ndërkohë që fëmija është duke u trajtuar me antibiotikë. Megjithatë, jo të gjitha rashet duhen konsideruar reaksione alergjike. Skuqjet të ngritura mbi nivelin e lëkurës janë shpeshherë reaksione dhe gjithmonë duhet te informoni mjekun në raste shfaqjesh të tilla gjithashtu duhet shënuar në të dhënat mjekësore të fëmijës tuaj, në këtë mënyrë do të bëhet kujdes në përdorimin e mundshëm të antibiotikut në të ardhmen.
Antibiotiket nuk janë gjithmonë zgjidhja për një fëmijë të sëmurë. Përpara përdorimit të tyre konsultohuni gjithmonë me mjekun pediatër. Antibiotikët funksionojnë kundër infeksioneve bakteriale. Ato nuk funksionojnë në simptomat e të ftohtit apo grip. Sigurohuni që po e jepni mjekimin në mënyrën si mjeku ka rekomanduar.