Akte shtazore që na treguan edhe njëherë se si përulen para krimit policia dhe politika jonë!
Nga Aida Topalli
Mesditën e datës 6 korrik 2023, në një lokal në Borizanë, do të regjistrohej një ngjarje, fillimisht e paqartë për ne gazetarët, e për pasojë edhe për publikun. Konfuze ishte edhe vetë policia. Duke e raportuar në orët e para si një sherr pa pasoja të rënda. Në minutat dhe orët në vijim, familjarët e fisit Maja ( në këtë rast të dëmtuarit), do të kërkonin ndihmën e medias, për të hedhur dritë mbi atë se çfarë kishte ndodhur në mesditë.
Anëtarë të fisit Rraja, pronarë të një guroreje në Borizanë të Fushë Krujës, dhunuan me shkopinj gome e hunj, anëtarë të fisit Maja, banorë të zonës, të cilët kishin protestuar e denoncuar kundër gurores, e cila ju rrezikonte banesat dhe qetësinë e ajrin. Disa prej tyre u dërguan në Spitalin Ushtarak. Burimet informuan se ishin dëmtuar rëndë. Ndërkohë, mbrëmjen e kaluar, një video shokuese, do të bënte xhiron e rrjeteve sociale dhe mediave në mbarë vendin. Fisi Rraja kishte shkuar me “regji” me vete për të ushtruar aktin makabër ndaj Majave.
Në video shfaqen pamjet e shëmtuara dhe veprimet huligane të një grupi djemsh të rinj e mesoburra, të cilët me shkopa gome dhe dërrasa qëllojnë barbarisht ndaj Jashar e Bilbil Majën, duke ju shkaktuar të çara në kokë, fytyrë e trup. Dhe si të mos mjaftonte kjo, ata nxorrën edhe armën, duke rrezikuar që kjo ngjarje të merrte përmasa tragjike.
Janë disa pikëpyetje: Kush është personi që filmon? Sepse nëse nuk do ishte i Rrajave, do ta kishin goditur që të shmangnin publikimin…
Megjithatë, nga njëra anë kjo video shërbeu si një provë për policinë, sepse ndodh shpesh që ata e kanë të pamundur të identifikojnë dhunues të tillë, sidomos kur kryesit e veprës penale janë njerëz afër pushtetit.
Në mesin e tyre, ish drejtori i Postës së Fushë Krujës dhe djali e vëllai i deputetit socialist Rrahman Rraja.
Fisi Rraja është konsideruar gjithmonë si i paprekshëm.
Policia ka qenë e paaftë në disa raste, që të vërë përballë drejtësisë apo në pranga persona që kanë qenë përgjegjës për akte të rënda. Drejtësia më pas dështoi me rastin e Xhisiela Malokut, e cila denoncoi për dhunë djalin e ish deputetit, por e tërhoqi më pas, me gjasë se gjithçka ka ndodhur nga dashuria e tepërt.
Policia dështoi edhe këtë herë të vinte në pranga të gjithë të përfshirët në aktin e rëndë të Borizanës.
Mes tyre edhe Rexhep Rrajën.
Të cilin nuk e citoi as në njoftimin zyrtar. Është e disata herë që Rexhep Rraja përkëdhelet nga drejtësia. Policia dhe politika e drejtësia jonë, e dëshmuan njëherë se për Rrajat hedhin poshtë edhe efektivët e tyre, siç bënë me Emiljano Nuho-n.
Fatkeqësisht, me aktin e djeshëm, policia dhe politika jonë na dëshmuan edhe njëherë se sa të kapur janë nga krimi. Vetëm arrestimi i të gjithë të përfshirëve në këtë konflikt çnjerëzor, do të rikthente një fije besimi te blutë dhe pushteti