Shuhet vëllai i yllit të popit Madonna-s
Vëllai i madh i Madonna-s, Anthony Ciccone është ndarë nga jeta në moshën 66-vjeçare. Lajmi u bë i ditur nga familja e tij .Ai ndërroi jetë mbrëmjen e së premtes. Ciccone ishte një prej 7 vëllezërve e motrave të mbretëreshës së Pop-it. 66-vjeçari kishte pasur probleme me varësinë ndaj alkoolit, dhe për shumë vite ishte i pastrehë. Në një pikë të jetës ai kishte jetuar edhe poshtë një ure.
Shkaku i vdekjes nuk është bërë ende i ditur. Vetë Madonna nuk e ka komentuar humbjen e Ciccone.
Këngëtarja u rrit në qytetin e Detroit, Michigan, me Anthony-n dhe vëllezërit e motrat e tjera. Kur Madonna u zhvendos në New York në 1978 për të ndjekur karrierën në kërcim e muzikë, Ciccione qëndroi në Michigan. Ata e humbën të ëmën nga kanceri i gjirit, në 1963, kur ishin ende fëmijë.
Ciccione u largua nga familja dhe në të shkuarën i kishte akuzuar ata publikisht se nuk donin t’ia dinin për të.“Jam zero në sytë e tyre, nuk ekzistoj. Jam një turp”, tha ai për DailyMail në 2011-n. “Nëse vdes nga i ftohti, me gjasë familja ime as që do e marrë vesh për 6 muaj”.
Më vonë, në 2017-n, u raportuar se ai kishte përfunduar një program rehabilitimi dhe kishte rivendosur marrëdhëniet me familjen e tij.