Kinematografia në zi! Ndahet nga jeta aktori i njohur i telenovelave turke

Aktori i njohur turk Emre Torun ka ndërruar jetë në moshën 52-vjeçare, pas një beteje të gjatë me sëmundjen e kancerit. Lajmi ka prekur jo vetëm publikun turk, por edhe atë shqiptar, ku Torun ishte i njohur për rolet e tij në seriale të transmetuara në ekranet vendase.

Gjatë karrierës së tij të gjatë në teatër, televizion dhe kinematografi, Emre Torun la gjurmë të rëndësishme në artin skenik. Ai u bë i dashur për publikun shqiptar përmes rolit të Nevzat Çankirili në serialin “Dunyaya Hukumdar Olmaz” (Familja e Madhe), që u transmetua në Vizion Plus, si dhe përmes rolit në “Üç Kız Kardeş” (Tri motrat), i transmetuar në Tring.

Të enjten u mbajt një ceremoni përkujtimore prekëse në nder të tij, ku morën pjesë familjarë, miq, kolegë dhe dashamirës të artit. Një nga momentet më të ndjera ishte kur vajza 15-vjeçare e aktorit, Delfin, përqafoi arkivolin e të atit mes lotësh.

Gruaja e tij, Nurkan Torun, dhe nëna e Emres nuk mundën të përmbanin dhimbjen, teksa të pranishmit u përpoqën t’i mbështesin në këtë moment të vështirë. Pas ceremonisë, aktori u përcoll për në banesën e fundit në varrezat e Karacaahmet.

Artistë të njohur si Erkan Bektash dhe Mujde Uzman morën pjesë në homazhe, duke shprehur dhimbjen dhe respektin për figurën e aktorit. Mujde Uzman u shfaq e tronditur gjatë fjalimeve, duke e përshkruar Torun si një mik dhe koleg të jashtëzakonshëm.