“Krime të rënda”, detaje nga ndalimi i Noizyt në Zvicër

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ndalimi i reperit të njohur shqiptar, Noizy (emri i vërtetë: Rigels Rajku), në aeroportin e Zvicrës. Ndalimi është kryer nga policia helvetike, me urdhër të Zyrës së Prokurorit Publik për Krime të Rënda dhe të Dhunshme.

Sipas burimeve të mediave zviceriane, Noizy ndodhej në udhëtim drejt Zvicrës për të marrë pjesë në një koncert të paralajmëruar më 5 korrik, që do të mbahej në një nga klubet shqiptare më të njohura në këtë vend. Megjithatë, ai është ndaluar menjëherë sapo ka mbërritur në aeroport.

Kjo nuk është hera e parë që Noizy ka probleme me drejtësinë. Më herët, reperi ka qenë në qendër të vëmendjes për përfshirjen e tij në një incident në një klub nate në Kosovë, pas të cilit ai u shpall në kërkim nga autoritetet kosovare.

Pas arrestimit në Shqipëri, ai u lirua me kusht vetëm disa ditë më pas. Në muajin nëntor të vitit të kaluar, ai u dënua me një gjobë prej 15,000 eurosh për incidentin në fjalë.