Divorci i Mauro Ikardit dhe Uanda Narës zyrtarizohet, sulmuesi paraqet prova për tradhti në gjykatë
Mauro Ikardi dhe Uanda Nara janë zyrtarisht të divorcuar pas një vendimi të marrë nga gjykata e Milanos. Sulmuesi argjentinas kishte kërkuar divorcin, duke paraqitur prova për tradhtinë e ish-bashkëshortes së tij me tre persona të ndryshëm.
Në seancën gjyqësore të 11 marsit, Ikardi ka dorëzuar video dhe foto që sipas tij provojnë tradhtinë e Uanda Narës, mes të cilave përfshihen emrat e njohur si Keita Balde dhe këngëtari L-Gante. Megjithatë, emri i tretë ka qenë një surprizë: bëhet fjalë për ish-lojtarin e Argjentinës, Federiko Facio, me të cilin Uanda dyshohet se ka pasur një lidhje në vitin 2017.
Kjo tradhti e supozuar me Facio pati pasoja edhe në karrierën e Ikardit, pasi krijoi tensione në kombëtaren argjentinase, duke çuar në përjashtimin e tij nga ekipi për Kupën e Botës 2018.
Me këtë vendim në favor të tij, Ikardi ka tani një avantazh në gjyqin e ardhshëm për ndarjen e pasurisë dhe kujdestarinë e dy vajzave që ka me Uanda Narën. Aktualisht, vajzat jetojnë me të ëmën, por sulmuesi argjentinas synon të fitojë të drejtën për rritjen e tyre.