Adelina Tahiri rrëfen të kaluarën: Kam qenë viktimë e dhunës, burri im më mbrojti nga ish-partneri
Këngëtarja e njohur Adelina Tahiri ka bërë një rrëfim tronditës, duke zbuluar për herë të parë se ka qenë viktimë e dhunës nga ish-partneri i saj. Ajo tregoi se ishte në një lidhje me një djalë të moshës së saj, i cili ishte i biri i një funksionari të lartë politik në Maqedoni, dhe se dhuna që përjetoi e detyroi të kërkonte ndihmë nga një avokat—që më vonë u bë bashkëshorti i saj.
“Unë kam qenë me dikë të moshës time. A më ka pyetur dikush se si më ka trajtuar ai? Ose pse jam ndarë? Nuk jemi përshtatur, ndoshta ka pasur dhunë ndaj meje. Kam qenë 19 vjeçe, ka qenë shumë e vështirë dhe nuk i kam treguar as familjes. I vetmi person që i kam treguar ka qenë avokati im, i cili sot është burri im. Dhe mua askush nuk më është ndalur të më pyesë: ‘Prit, pse?’ Ai ka qenë krah për mua në çdo aspekt,” rrëfeu Adelina.
Ajo foli edhe për paragjykimet që ka përjetuar për martesën e saj me një burrë maqedonas dhe më të madh në moshë.
“Paratë sot janë shumë të lehta për t’u bërë, nuk kam pasur nevojë për një njeri për para. Kam dalë hapur dhe kam treguar se kush është burri im, ndryshe nga shumë këngëtare të tjera,” tha ajo.
Duke folur për raportin me bashkëshortin, Tahiri tha se ai ka qenë gjithmonë mbështetja e saj dhe se, edhe nëse ndahen, do ta bëjnë me paqe.
“Sot jetoj shumë e lumtur, dhe edhe nëse do të ndahesha, do të ndahesha me paqe me burrin tim, sepse kam me kë të bisedoj. E shoh përballë dhe flas me të. Por dhunën nuk e pranoj në asnjë mënyrë. Kam pasur të bëj me një person, babai i të cilit ka qenë funksionar shumë i madh politik, dhe e kam pasur shumë të rëndë. Jam gjykuar pa arsye.”
E pyetur pse nuk ka folur më parë për këtë çështje, këngëtarja u shpreh se nuk është ende momenti për të përmendur emra, por ndoshta një ditë do ta bëjë.
“Nuk kisha dashur të flas sepse nuk dua të përmend emra. Nuk është situata dhe momenti i duhur. Ndoshta dikur në jetë do ta them, por tani jo. Ka të bëjë me korrupsionin, me pozitat dhe këto lloj gjërash. Por unë nuk kam dhënë dorëheqje. Deri në muajin e nëntë të shtatzënisë kam shkuar deri në fund.”
Në fund, Tahiri u bëri thirrje njerëzve të ndalin paragjykimet dhe komentet negative, duke theksuar se askush nuk e di çfarë fshihet pas një fotografie në rrjetet sociale.
“Gjithmonë kam dalë e buzëqeshur dhe shumë e fortë. Edhe kur kam qenë shtatzënë, më kanë gjykuar pa fund: ‘Ke bërë fëmijë me këtë, me atë… do ta mbysim fëmijën!’ Pse po gjykoni? Prandaj, nuk duhet të ulemi në Instagram dhe TikTok vetëm për të bërë komente negative. Mos e bëni, sepse nuk e dini kurrë çfarë fshihet pas asaj fotografie,” përfundoi ajo.