Vuçiq nuk shkon në Bratisllavë, i drejtohet kufirit/ Rusia: Perëndimi të mos fajësojë serbët

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se nuk do të shkojë në Bratisllavë, sepse “është më e rëndësishme për të që të jetë me njerëzit e tij”. Vuçiç i bëri komentet në llogarinë e tij zyrtare në Instagram. Radio Europa e Lirë raporton se BE kërkoi Bratisllavën si vend të mundshëm takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ato thanë se nuk ka asgjë të konfirmuar, por se po punojnë në këtë drejtim.Në Bratisllavë, aktualisht, po mbahet një takim për sigurinë dhe Kurti e Vuçiq kanë qenë të ftuar.

Nga kabineti i Kurtit thanë më herët për REL-in se shkuarja e tij në Bratisllavë ka qenë e planifikuar, por është shtyrë, për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës. Vuçiç, po ashtu, tha se do t’i vizitojë ushtarët e dislokuar serbë në pozicione pranë kufirit me Kosovën.

Ai ka dhënë urdhër për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe dhe për dislokimin e trupave më pranë kufirit, pasi qeveria e Kosovës, javën e kaluar, ka instaluar kryetarët e rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të vendit. Ky veprim ka nxitur protesta në veri të Kosovës.

Rusia në një reagim tha  se për t’i ulur tensionet në Kosovë, duhen “hapa vendimtarë”. “Ne i bëjmë thirrje Perëndimit që përfundimisht ta ndalë propagandën e tij të rreme dhe, për incidentet në Kosovë, të ndalojë së fajësuari serbët, të cilët janë paqësorë, të paarmatosur dhe bëjnë përpjekje t’i mbrojnë të drejtat dhe liritë e tyre legjitime”, tha Ministria e Jashtme e Rusisë, transmeton Reuters.