Vuçiç: Kërkojmë tërheqjen e kryetarëve shqiptarë nga veriu/Policia heton incidentet

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërkoi tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës, ashtu si edhe të kryetarëve të komunave me kombësi shqiptare.

Vuçiq i bëri komentet në takim me ambasadorët e vendeve të Quint-it: Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, njofton kabineti i tij. “Shpresoj se do të mund ta bindni kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që t’i tërheqë forcat e tij dhe kryetarët personalë nga veriu”, tha Vuçiq.

Sipas komunikatës që iu dërgua mediave, Vuçiq tha, po ashtu, se Serbia do ta vazhdojë komunikimin me përfaqësuesit e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, me “besimin më të mirë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”.

“Presidenti shprehu keqardhjen e tij për ushtarët e lënduar të KFOR-it, por theksoi se një numër shumë më i madh i serbëve u plagosën, se kundër tyre u përdorën armë zjarri dhe forcë e madhe fizike, edhe pse ata që në fillim bënë rezistencë të padhunshme”, thuhet në deklaratë.

Policia e Kosovës tha se po heton të gjitha rastet që ndodhën të hënën në veri të Kosovës, gjatë protestës së serbëve në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Sipas Policisë së Kosovës, protestues, individë dhe grupe kriminale, “me dhunën ekstreme të shfaqur”, kanë bërë që “situata në aspektin e sigurisë në veri të vendit të përshkallëzohet dhe të degradojë deri në rrezikim të jetës së njerëzve, përfshirë jetën e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë”.

Nga ana tjetër,ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës mohoi raportimet e disa mediave në Serbi se protestuesit serbë në veri të Kosovës dhe misioni i NATO-s, KFOR, kanë arritur marrëveshje për tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga Zveçani. Sipas marrëveshjes së pretenduar, protestuesit e ndaluar një ditë më parë, do të lirohen po ashtu.