Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do t’u drejtohet sot qytetarëve të Serbisë për t’i informuar me problemet dhe zgjedhjet me të cilat sipas tij, po përballet vendi pas vizitës së delegaçionit të BE-së dhe SHBA.
“Ishte një nga ditët më të vështira për vendin tonë. Dhe kurrë nuk fshihem nga njerëzit kur ndodhin gjëra të tilla. Do të kemi shumë vështirësi dhe probleme me të çilat do të përballemi në të ardhmen, prandaj na duhet unitet”, tha Vuçiç në një video të postuar në llogarinë e tij zyrtare në Instagram.
Vuçiç u shpreh më tej se nuk e ka marrë përgjegjësinë që priste nga përfaqësuesit politikë. “Fatkeqësisht ata zgjodhën të shkojnë kundër Serbisë edhe kësaj radhe”, theksoi ai.
Ndërkohë, kanë nisur të artikulohen ide edhe për një dorëheqje të mundshme të Vuçiç nga drejtues i Partisë Progresiste të Serbisë.
“Aleksandër Vuçiç është i gatshëm të dorëhiqet nga posti i kryetarit të Partisë Progresiste të Serbisë”, ka thënë Darko Glishiç, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të partisë në pushtet në Serbi.
Ai ka treguar se në selinë e kësaj partie është mbajtur një mbledhje në lidhje me situatën në Kosovë, ku Vuçiç ka thënë se është i gatshëm të japë doreheqje nga posti. Por sipas Glishiq “kjo mund të jetë fundi i kësaj partie në skenën politike në Serbi”.
Për më shumë se një dekadë, Vuçiç vazhdon ta mbajë pushtetin, në fillim si kryeministër e tani si president.