Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani sot në Strasburg do të takohet me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola dhe do të flasë para deputetëve të Parlamentit në një seancë plenare.
Sipas paralajmërimeve nga Parlamenti Evropian, temat e diskutimeve edhe në takimin dypalësh Osmani-Metsola edhe në debatin në seancën plenare, do të jenë raportet mes Kosovës dhe BE-së, mbështetja që Parlamenti Evropian i ka dhënë Kosovës në vitet e fundit por edhe situata aktuale në Kosovë dhe procesi i normalizimit të raporteve me Serbinë.
Vizita e presidentes Osmani ishte caktuar para më shumë se një muaj dhe vjen në një situatë kur raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian janë në një fazë të vështirë. Bashkimi Evropian e konsideron Kosovën përgjegjëse për nxitjen e tensioneve në pjesën veriore të vendit dhe për mospërfillje të kërkesave për ndërmarrjen e hapave për uljen e këtyre tensioneve.
Si pasojë, kabineti i Përfaqësuesit të lartë të BE-së Josep Borrel ka përgaditur dhe i ka ndarë me shtetet anëtare disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës. Kjo thirrje ishte përsëritur edhe në Rezolutën e fundit për Kosovën që Parlamenti Evropian e kishte miratuar me 10 maj. Por, rezolutat e Parlamentit Evropian nuk kanë fuqi obliguese për vendet anëtare të BE-së. Gjatë vizitës së saj në Strasburg, Osmani ka pasur takime edhe në Këshillin e Evropës.