Gjykata Themelore e Prishtinës i ka shqiptuar masën prej një muaji paraburgim Millun Millenkoviç – Llune, që u arrestua në Mitrovicë të Veriut më 13 qershor, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, avokati i tij, Nebojsha Vllajiç.
“Sot pasdite në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në departamentin e posaçëm, është mbajtur seanca për të vendosur lidhur me propozimin e prokurorit publik për caktimin e paraburgimit. Propozimi i prokurorit është miratuar dhe atij i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh”, tha Vllajiç.
Mbrojtja ka 48 orë kohë për të apeluar këtë vendim. Avokati tha se Millenkoviç është dërguar në një burg në Podujevë.
Millenkoviq u arrestua të martën në Mitrovicën e Veriut gjatë një aksioni të njësive speciale të Policisë së Kosovës.
Vllajiç tha se Prokuroria e akuzon klientin e tij për tri vepra penale: terrorizëm, ndryshimi i rendit kushtetues përmes dhunës dhe rrezikim të personit nën mbrojtje ndërkombëtare.