Tre kërkesat drejtuar Kurtit për tensionet në veri të Kosovës/ Lajçak dhe Escobar kërkojnë dialog

Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog ishin tri kërkesat e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Ata  vizituan Prishtinën dhe Beogradin  për të gjetur një zgjidhje për qetësimin e situatës në tri komuna në veri të Kosovës – Zvecan, Leposaviq dhe Zubtin Potok. Në këto komuna, serbë lokalë po protestojnë rregullisht prej 29 majit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale  të cilët fituan zgjedhjet e bojkotuara nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë. Më 29 maj, situata është përshkallëzuar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it.

https://twitter.com/i/status/1665807778055684096

“Ne e prezantuam një propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tri elemente. Kishim bisedime të gjata, të sinqerta dhe të vështira”, tha Lajçaku, pas takimit trepalësh mbrëmjen e 5 qershorit. Ai tha se është në interes të të gjithëve që në veri të Kosovës të ketë kryetarë të komunave “legjitimë” dhe që përfaqësojnë qytetarët.

Ndërkohë, Escobar tha se ai erdhi në këtë takim, i cili zgjati mbi dy orë, si mik i Kosovës dhe tha se shpreson që kërkesat e tyre të dëgjohen. “Nuk kam parë kurrë kaq shumë unitet brenda komunitetit transatlatnik. SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe pothuajse çdo mik i Kosovës e ka bërë të njëjtin propozim. Kështu që shpresoj të dëgjohemi”, tha Escobar.

Të pyetur se a i ka pranuar Kurti propozimet e tyre, të dy thanë se janë në “fillim të misionit të tyre”, që do të zgjasë dy ditë. “Shpresoj se do njoftojmë për lajme të mira në fund, por nuk kemi arritur atje ende”, tha Lajçaku . Sipas njoftimit, kryeministri Kurti tha se “rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve”. Kurti Brukselin dhe Washingtonin që të bëjnë thirrje për ndalim të dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim të kryerësve të saj.

Kurti, sipas njoftimit, tha se vetëm sundimi i ligjit mund t’i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme. E tillë duhet të jetë edhe fushata parazgjedhore. Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – është duke kushtëzuar sërish pjesëmarrjen në zgjedhje me tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga pjesa veriore e vendit dhe me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit.