Tensionet në Veri të Kosovës, Vuçiç takohet me Ramën në Moldavi

Këtë enjte është duke u mbajtur samiti i Komunitetit Politik Europian në Kishnau të Moldavisë. Pjesë e këtij samiti janë edhe liderët e Ballkanit Perëndimor. Presidenti i Serbisë, pak minuta më parë ka shpërndarë në rrjetet sociale disa foto ku është takuar me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

Po ashtu presidenti serb është takuar edhe me udhëheqësit e tjerë të Ballkanit, ndërsa në fokus të diskutimeve të tyre ka qenë situata në veri të Kosovës.

“Ne në rajon e dimë më së miri se sa e rëndësishme është që bashkërisht të bëjmë çdo përpjekje për të ruajtur paqen dhe stabilitetin e fituar me vështirësi. Diskutuam ngjarjet aktuale dhe hapat e mëtejshëm që do të kontribuonin në gjetjen e një zgjidhjeje për situatën aktuale të vështirë dhe serioze, me shpresën se arsyeja do të mbizotërojë, në të mirë të të gjithëve”, shkruan Vuçiç.