Katër muaj pas zgjedhjeve parlamentare rreth 9.7 milion grekë të regjistruar në listat zgjedhore u drejtohen këtë të diel përsëri kutive të votimit në mbi 22000 qendra, kësaj herë për të zgjedhur përfaqësuesit e pushtetit lokal.
Janë 1222 formacione lokale që pretendojnë këshillat e 332 bashkive të vendit, ndërsa 78 të tjera luftojnë për 13 qarqet e Greqisë, 12 prej të cilave mbahen nga konservatorët në fuqi, të cilët shpresojnë të fitojnë edhe qarkun e Kretës.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ,ka thënë se partia e tij Demokracia e Re përveç tyre, mbështet hapur edhe kandidatët për kryetarë në 3 bashkitë më të mëdha të vendit ato të Athinës , të Pireut dhe të Selanikut. Luftë e fortë politike zhvillohet sidomos në zonën e Thessalisë që u përmbyt dy herë brenda një muaji dhe ende mijëra hektarë tokë ndodhen nën ujë.
Pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale kanë deklaruar 151.766 kandidatë, ose gati 2% të shtetasve grekë që jetojnë në vend. Prej tyre 63.906 janë kandidatë për këshilltarë bashkiakë, 7.395 për këshilltarë qarku dhe 80.465 për këshilltarë komunalë. Është për tu veçuar fakti se ka edhe fletëvotimi të gjata 1 metër për shkak të numrit të madh të kandidatëve të një formacioni zgjedhor.
Madje nga përpunimi i të dhënave rezulton se për këshilltar bashkiak në Pire pretendon të zgjidhet një 102-vjeçar. Gjithashtu ka edhe disa kandidatë për këshillat ,96 dhe 98 vjeç. Në ndryshim nga zgjedhjet e kaluara, fitues do të jetë prej raundit të parë çdo formacion apo kandidat për kryetar bashkie dhe qarku në rast se përqendron mbi 43% të votave.
Fituesit marrin mandatin e tyre 5 vjeçar në 1 janar 2024. Të drejtë vote kanë të gjithë qytetarët që kanë mbushur moshën 17 vjeç dhe janë të regjistruar në listën zgjedhore të bashkisë. Edhe kësaj here nuk mungojnë në listat e kandidatëve për këshilltarë bashkiakë apo qarku shtetasit shqiptarët që kanë të drejtë vote në Greqi. Kutitë hapen në orën shtatë të mëngjesit dhe mbyllen pas 12 orësh,ndërsa rreth orës 9 të mbrëmjes ora lokale do të fillojnë të dalin rezultatet e para.