Ky takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe të Dërguarin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, po zhvillohet në ambientet e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, përfunduan pa sukses “në kuptimin e gjetjes së një rruge të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve”.
“Ne të gjithë i kemi propozimet tona, shqiptarët i kanë të tyret, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Takimi ka përfunduar”, u tha Vuçiç gazetarëve.
“Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit të komunave [me shumicë] serbe. Ky është thelbi i gjithçkaje. Serbia nuk ik nga detyrimet e saj”, shtoi ai.
Dy udhëheqësit u takuan të enjten në Bruksel – për herë të parë pas më shumë se katër muajsh.
Kurti dhe Vuçiç zhvilluan paraprakisht takime të ndara me ndërmjetësuesit e procesit, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
“Sot do të shohim nëse ata janë gati të marrin përgjegjësi”, shkroi Borrell në X, e njohur më herët si Twitter.
Takimi vjen në kohën e tensioneve të larta në veri të Kosovës, ku jetojnë rreth 50.000 serbë dhe përbëjnë shumicën lokale.
Situata atje është acaruar qysh nga fundi i majit. Atëkohë, grupe serbësh kanë nisur protestat për të kundërshtuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë – nën përcjelljen e policisë – në zyrat e komunave në veri.
Këta kryetarë kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit që janë mbajtur në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, por që janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.
Protestat në zonë janë shndërruar disa herë në përleshje të dhunshme – më të rëndat kanë qenë më 29 maj, kur dhjetëra ushtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë mbetur të plagosur./ REL
Regjistrohu në buletinin tonë informativ