Sulmuesit në veri, “të strukturuar dhe të përgatitur”/ Analistët për REL: Formacioni imiton grupin mercenar rus, Wagner

Grupi i personave të armatosur që sulmoi pjesëtarët e Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, nuk është strukturë spontane, por e organizuar dhe e parapërgatitur mirë, thonë njohësit e çështjeve të sigurisë.

Avni Islami, profesor i shkencave të sigurisë në Prishtinë, vlerëson se “formacioni imiton grupin mercenar rus, Wagner”, ndërsa Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë thotë se ai nuk ka mundur të veprojë “pa dijen e autoriteteve të Serbisë”.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën të dielën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Autoritetet thanë se rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, vdiq nga plagët e marra gjatë sulmit.

 

 

Sipas tyre, sulmuesit e armatosur, rreth 30 syresh, ishin vendosur në manastirin e Banjskës, nga ku shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së diel.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se tre sulmues u vranë, ndërsa gjashtë persona të tjerë, që dyshohet se ishin të lidhur me ta, u arrestuan.

Sipas Sveçlës, autoritetet konfiskuan edhe një sasi të madhe armatimi.
Autoritetet e Kosovës bënë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

Çfarë thonë ekspertët e sigurisë?
Profesori Islami thotë për Radion Evropa e Lirë se grupi i armatosur, i cili sulmoi policinë në Banjskë, ishte një formacion i strukturuar dhe i përgatitur mirë.

Sipas tij, grupi nuk funksionoi si i izoluar dhe i vetorganizuar, por si një formacion me uniforma, me armatim specifik dhe i lidhur “me institucionet e sigurisë së Serbisë”.

“Uniformat e tilla i ngjajnë grupit [mercenar rus] Wagner. Duket se ky grup i strukturuar edhe ishte imitues i grupit Wagner”, thotë Islami duke iu referuar mercenarëve rusë që kanë marrë pjesë në luftën në Ukrainë dhe në zona të tjera konflikti.

“Armët e gjata, armët luftarake, të gjitha ato janë armë që përdoren në vijën e parë të frontit nga afërsia. Këto janë të mjaftueshme që të thuhet se ky grup terrorist, i lidhur me shtetin serb, ka kryer terrorizëm shtetëror në një territor të huaj”, thotë Islami.

Vrajolli, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se, bazuar nga mënyra se si u realizua sulmi në Banjskë, nuk mund të thuhet se formacioni kreu një akt spontan.

Sipas tij, ai veproi i orkestruar dhe me plan për ta destabilizuar pjesën veriore të Kosovës.

Një gjë e tillë, thotë ai, nuk ka mundur të ndodhë pa dijen e autoriteteve të Serbisë.

“Nëse flasim për mënyrën se si ata janë paraqitur, ajo tregon qartë se ata persona janë trajnuar, janë përgatitur, kanë marrë resurse mjaft të kushtueshme që të mund të operojnë. Mendoj se është e pamundshme që [autoritetet serbe] të mos i kenë informacionet. Tash, lind pyetja: A ka qenë drejtpërdrejt shteti serb i përfshirë në këtë strukturë apo kanë qenë elemente radikale të përziera? Kjo është vështirë të konfirmohet. Por, pasi që ka persona të arrestuar, atëherë informacionet se kush i ka shtyrë ata që të organizohen, do të gjenden”, shpreh bindjen Vrajolli.

Çfarë u tha në Prishtinë?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se procesi i hetimeve do të ofrojë më shumë të dhëna se kush ishin personat e “formacionit profesionist” që sulmoi policinë, si hynë dhe kur hynë në Kosovë, si dhe kush janë urdhërdhënësit dhe dirigjuesit e sulmit.

“Bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal, profesionist, i cili e ka planifikuar dhe përgatitur gjatë këtë çfarë ka kryer sot dhe që nuk paraqet një bandë të kontrabandës, por një strukturë mercenare, e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht e logjistikisht nga Beogradi zyrtar”, tha Kurti.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se bëhet fjalë për “grup terrorist”.

Sipas tij, disa nga sulmuesit janë “pjesëtarë të Mbrojtjes Civile” – organizatë të cilën Qeveria e Kosovës e shpalli terroriste, në fund të qershorit.

Duke folur për Radio Televizionin e Kosovës, Sveçla tha se sulmi kundër Policisë së Kosovës është realizuar me mbështetjen e “shtetit të Serbisë” dhe drejtoi gishtin drejtpërdrejt kah presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Çfarë u tha në Beograd?
Vuçiq i hodhi poshtë pretendimet e autoriteteve të Kosovës.

Duke folur në një adresim të drejtpërdrejtë televiziv, ai tha se serbë të Kosovës u rebeluan “duke mos dashur që ta durojnë më tej terrorin e Kurtit”.

Dy nga tre personat e vrarë nga grupi i sulmuesve, tha Vuçiç, janë nga Mitrovica e Veriut.

“Ne ende po kontrollojmë për t’u siguruar që nuk janë emra të rremë”, tha ai.

“Fajtori i vetëm për atë që ndodhi në Kosovë është Albin Kurti”, tha Vuçiç dhe shtoi se sulmuesit nuk kishin uniforma të ushtrisë apo policisë serbe.

Çfarë tha komuniteti ndërkombëtar?
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, e dënoi vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe tha se është i gatshëm të ndërhyjë nëse është e nevojshme.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se i dënon ashpër sulmet “e dhunshme dhe të orkestruara“ ndaj Policisë së Kosovës.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson edhe bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, tha se ka biseduar të dielën me udhëheqësit e të dyja vendeve.

Borrell, u tha në një komunikatë të zyrës së tij, bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit.

Tensionet në veri
Pjesa veriore e Kosovës, përkatësisht komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, janë të banuara me shumicë serbe.

Popullata atje, e ndikuar nga Beogradi zyrtar dhe strukturat që funksionojnë nën udhëheqjen e tij, nuk u bindet vendimeve të institucioneve të Kosovës./REL/