Sulmi terrorist në Kosovë, Vuçiç bisedon me vendet e QUINT-it dhe BE-në për tensionet

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka kërkuar nga ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian që KFOR-i të kujdeset për të gjitha çështjet e sigurisë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Në shtetet e QUINT-it bëjnë pjesë: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Gjermania dhe Franca.
“Në një nga momentet më të vështira për Serbinë, zhvillova një bisedë të rëndësishme me përfaqësuesit e QUINT-it”, shkroi Vuçiç në llogarinë e tij në Instagram, pas takimit në Beograd më 26 shtator.

“Po ashtu kam pyetur pse [misioni i BE-së në Kosovë për Sundim të Ligjit]EULEX-i është refuzuar nga Policia e Kosovës që të marrë pjesë në operacionin e kryer në veri të Kosovës”- shtoi ai, pa dhënë më shumë detaje për pretendimin e tij.
Në Kosovë, reaguesi i parë për siguri është Policia e Kosovës, më pas EULEX-i dhe në fund misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR.
Më 25 shtator, Vuçiç u takua me ambasadorin rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Harchenko, të cilit, siç ka thënë ai, i ka paraqitur “kërkesat e palës serbe”. Megjithatë, ai nuk ka treguar se për çfarë kërkesa bëhet fjalë. Serbia refuzon t’iu bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Një nga arsyet është mbështetja që i jep Rusia Serbisë për politikat e saj karshi Kosovës.
Policia e Kosovës më 24 shtator u sulmua nga një grup i personave të maskuar dhe armatosur, pasi tentoi të hiqte barrikadat e vendosura në fshatin Banjskë të Zveçanit. Si pasojë e sulmit mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa policë të tjerë.
Grupi i armatosur u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku u përlesh me Policinë e Kosovës. Autoritetet thanë se gjatë përleshjeve janë vrarë tre sulmues, ndërkaq janë arrestuar gjashtë të tjerë.
Autoritetet në Kosovë kanë akuzuar Millan Radoiçiçin, nënkryetar të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.
Më 26 shtator, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiçi i armatosur në Banjskë.
Lista Serbe, partia që ka mbështetjen e Beogradit, e as institucionet në Serbi nuk kanë reaguar lidhur me akuzat e Kosovës për përfshirjen e pretenduar të Radoiçiqit. Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës./REL