Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se blloku nuk e përjashton mundësinë që Kosova të përballet edhe me masa të tjera, nëse Qeveria e këtij vendi nuk i përmbush kërkesat ndërkombëtare.
“Ka një sërë masash, apo propozime për një sërë masash. Disa prej tyre tashmë kanë hyrë në fuqi menjëherë. Disa prej tyre janë ende duke u diskutuar dhe vendet anëtare do t’i zbatojnë gradualisht, nëse nuk do të ketë ndryshim të qasjes së autoriteteve të Kosovës. Spektri është relativisht i gjerë”, ka thënë Stano në një konferencë për media.
Sipas tij, masat e marra ndaj Kosovës nuk janë sanksione apo masa kufizuese në aspektin klasik. Stano ka thënë se masat janë të përkohshme, dhe janë përgjigje ndaj “dështimit” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të marrë hapa konkretë dhe të menjëhershëm për uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.
Disa burime diplomatike i kanë thënë të martën Radios Evropa e Lirë se, Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.
Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.
I pyetur pse BE-ja nuk po ndërmerr masa ndaj Serbisë, e cila “nuk e zbaton marrëveshjen me Kosovën, nxit probleme në Bosnje – Hercegovinë dhe nuk i mbështet sanksionet ndaj Rusisë”, Stano ka thënë se këto çështje nuk duhet të përzihen me njëra-tjetrën sepse në Kosovë ekziston një situatë specifike, tensione të krijuara si pasojë e zgjedhjeve ku kishte pjesëmarrje të ulët të qytetarëve”.
“Letra që ai i ka dërguar Përfaqësuesit të Lartë, Borrell, ku ka bërë pesë propozime, nuk e adreson problemin kryesor, dhe dështon të bëjë hapa për uljen e tensioneve”.
Plani pesëpikësh i Kurtit për uljen e tensioneve në veri
- Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët
- Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës
- Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.
- Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri
- Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave
I pyetur të komentojë kritikat e Kurtit ndaj të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, se ai nuk po sillet si lehtësues i paanshëm, por “vjen me kërkesa të Serbisë”, Stano ka thënë se nuk i komenton deklaratat e palëve dhe se “Lajçak është emëruar, dhe e ka marrë mandatin nga 27 vende të BE-së, dhe në emër të BE-së e kryen mandatin e tij në mënyrë të paanshme”.
Burimet diplomatike të BE-së kanë thënë se shtetet anëtare nuk e kanë obligim të zbatojnë masat ndaj Kosovës, por disa prej tyre tashmë kanë nisur të aplikojnë disa masa kufizuese.
BURIMI: RADIO EUROPA E LIRË