Shpërthime në Mitrovicën e Veriut, nuk ka dëme

Policia e Kosovës ka konfirmuar se gjatë orëve të vona të mbrëmjes së 22 qershorit kanë ndodhur dy shpërthime në Mitrovicën e Veriut. Nga këto shpërthime nuk ka pasur të lënduar. Nuk ka raportime për dëme apo të lënduar. Situata në Mitrovicën e Veriut dhe në komunat e tjera në veri ka qenë e qetë gjatë natës dhe se vazhdon të jetë edhe sot e tillë.

Më herët këtë muaj është raportuar për sulme me shok bombë afër stacioneve policore në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan. Këto sulme me shok-bomba po ndodhin në kohën kur tensionet në veri të Kosovës  të banuar me shumicë serbe –janë rritur.

Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë. Ato kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.