SHBA-ja mirëpret marrëveshjen e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mirëpriti pajtueshmërinë mes Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.

Përmbushja e obligimeve sipas Marrëveshjes Bazë, si pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm për pajtim, do të ofrojë mundësi të mëdha për njerëzit në dy shtetet dhe do të përshpejtojë rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të angazhuara në mënyrë aktive, në koordinim me partnerët e BE-së, për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë që të punojnë drejt një marrëdhënieje të parashikueshme dhe paqësore. Ne do të vazhdojmë të mbështesim avancimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor”, tha Blinken përmes një deklarate.

Në këto negociata, që u mbajtën në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në cilësinë e vëzhguesit ishte edhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Bashkimi Evropian tha se palët në takimin e Ohrit nuk e nënshkruan zyrtarisht marrëveshjen, por u pajtuan që ta zbatojnë atë.

Kosova dhe Serbia ishin pajtuar më 27 shkurt për propozimin evropian për normalizimin e raporteve. Ky propozim, i përbërë prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Propozimi evropian kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit. Pas rundit të dialogut në Ohër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se marrëveshja e arritur nënkupton “njohjen e ndërsjellë de facto”.

 

Check Also

Mori drejtimin e Komisionit Hetimor dhe nuk lejoi opozitën të merrte pjesë në mbledhje/ PD kallëzon në SPAK Plarent Ndrecën dhe Genc Gjonçajn

Grupi Parlamentar i PD-së ka paditur në Prokurorinë e Posaçme, deputetin socialist Plarent Ndrecajn, pasi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *