Rrëmbimi i tre policëve në Kosovë, Presidenti Begaj: Akt i rëndë provokativ për destabilizimin e Kosovës

Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka reaguar pas situatës në veri të Kosovës dhe rrëmbimit të tre efektivëve të policisë. Begaj deklaron serrëmbimi i tre efektivëve të Policisë së Kosovës brenda territorit kosovar nga trupat serbe është një akt i rëndë provokativ për destabilizimin e Kosovës dhe të mbarë rajonit.

Kreu i Shtetit dënon me forcë këtë akt dhe i bën thirrje autoriteteve serbe për lirimin e efektivëve kosovarë. Gjithashtu Begaj i bën thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë dhe të shkurajojnë veprime të tjera të ngjashme.

“Strategjitë ‘eskalim për të deeskaluar’ duhet të marrin fund.Rrëmbimi i tre efektivëve të Policisë së Kosovës brenda territorit kosovar nga trupat serbe është një akt i rëndë provokativ për destabilizimin e Kosovës dhe të mbarë rajonit. E dënoj me forcë këtë akt dhe i bëj thirrje autoriteteve serbe për lirimin e efektivëve kosovarë. Gjithashtu iu bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë dhe të shkurajojnë veprime të tjera të ngjashme. Një thirrje vëllazërore e bëj sërish për autoritetet e Kosovës për të mos rënë pre e provokimeve dhe për të dhënë kontributin e tyre për çtensionimin e situatës. Koordinimi me SHBA dhe BE për rikthimin në tryezën e dialogut është tepër i rëndësishëm”, deklaron Presidenti Begaj.