Rrëfehet viktima e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë
Historia e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë është po aq e panjohur sa edhe numri i saktë i këtyre rasteve. Traumat e tyre të patrajtuara i kanë vuajtur në disa raste edhe fëmijët e tyre. Radio Evropa e Lirë ju sjell rrëfimin e një nëne, e cila këtë ngjarje, më tragjiken, të jetës së saj e ka mbajtur sekret. Megjithatë, ajo ia doli. Forcën e gjeti te bashkëshorti dhe fëmijët e saj. Akrepat e orës në dhomën e vogël, por shumëngjyrëshe, tregonin kalimin e kohës. Por, për Yllkën, të veshur në ngjyrë kafe dhe të zezë, shpeshherë koha kthehet në vitin 1999, kur ajo ishte 18 vjeçe.
Të vetme në shtëpinë e familjes diku në rajonin e Llapit, Yllka dhe një familjare e saj, Drita, ishin përballur me forcat serbe. Atë ditë, Yllka ishte dhunuar në shtëpinë e saj. Yllka tregon se, si fëmijë, ajo kishte qenë e hareshme, energjike dhe me shumë ëndrra për të ardhmen.Ndërsa, duke pëshpëritur e me zërin që i mbytet nën tingujt e akrepave të orës, ajo tregon se si ajo ditë, 24 vjet më parë, ia ndryshoi jetën. “Gjithçka kam pasur përpara. Por, lufta më shkatërroi”, thotë Yllka. “Për një kohë, nuk kam qenë shumë mirë. Gjithçka më ka penguar, edhe dielli kur dilte. Nuk doja as diellin ta shihja me sy, as dritë, as asgjë”, shton ajo.
Para se ta përjetonte dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë, Yllka ishte takuar me një djalë, Endritin. Kur lufta përfundoi, ai kërkoi ta takonte sërish Yllkën, por fillimisht nuk pati sukses. E shkatërruar nga ajo që kishte përjetuar, Yllka thotë se nuk donte ta takonte askënd nga frika se sekreti i saj do të zbulohej.
Deri më sot, Yllka dhe bashkëshorti i saj nuk e kanë diskutuar kurrë atë që i ka ndodhur asaj gjatë luftës. Për Yllkën, kjo ka qenë përkrahja më e mirë që mund t’ia kishte dhënë ai. “Kur e kam pasur ndonjë moment të keq, më ka kapur vaji, kam qarë aq shumë deri sa gati jam alivanosur. Mundohesha shpirtin ta qes prej gojës. Ai trokiste në derë, dilte në dritare. Më thoshte ‘hajde shkojmë te një mjek ose dalim në qytet’. Nuk i interesonte çka mund të thonë komshinjtë”, shton Yllka.
“Mos t’i kisha fëmijët, do të çmendesha krejt”
Ajo ndien dhimbje për gratë që nuk kanë gjetur përkrahjen e burrave të tyre. “Mua ma ka dhënë Zoti… siç thonë, ku është terr, bie dritë. Por, jo për të gjithë. Për disa, ku ka qenë terr, është bërë natë krejt. Por, pse?! Ajo nuk ka dashtë, duhet ta kuptojnë… cila grua do që t’i bëhet ajo e zezë?”, rrëfen 42-vjeçarja.
Por, Yllka tregon se është shqetësuar shpeshherë për mirëqenien e fëmijëve të saj, nga frika se mos i është bartur edhe atyre trauma që ajo ka përjetuar. Një hulumtim i prezantuar në muajin mars 2023 nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në bashkëpunim me Institutin Danez Kundër Torturës, ka zbuluar se fëmijët e grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë kanë nivele më të larta të kortizolit – hormonit kryesor që bën rregullimin e stresit.
Yllka nuk planifikon ta ndajë sekretin e saj asnjëherë me fëmijët dhe familjarët e tjerë, pasi që thotë se nuk dëshiron që ata të mërziten për atë që i ka ndodhur asaj. Por, prapëseprapë e sheh si shumë të nevojshme që secila viktimë ta ketë dikë me të cilin mund të flasë për përjetimet e veta. “Çdo hall… kur e flet me dikë të besueshëm, të ndihmon. Të duket sikur ta largon të gjithën”, shton ajo, duke treguar se e ka statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.
Selvi Izeti, psikologe në QKRMT, thotë se trajtimi i traumave të shkaktuara nga dhuna seksuale duhet të jetë i vazhdueshëm. Ajo tregon se kërkesat për seanca individuale rriten veçanërisht kur raportohet në media për raste të dhunës seksuale, kur nisi lufta në Ukrainë dhe gjatë periudhës kur kishin nisur bombardimet e NATO-s meqë në atë periudhë ka pasur më së shumti raste të dhunimeve.
QKRMT-ja ka dhëna për rreth 900 viktima. Në Kosovë, për herë të parë këtë vit më 14 prill shënohet Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit. Kjo ditë, sipas autoriteteve, është shpallur për “ta njohur dhimbjen” e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe për t’i kontribuar kujtesës kolektiv.