Rama: Tre policët e Kosovës nuk kanë bërë asnjë krim, të lirohen/ Orban: Javën tjetër, takim bilateral me Beogradin

Kryeministri Edi Rama është pyetur në lidhje me rrëmbimin e 3 policëve të Kosovës nga forcat serbe. Pasi bëri thirrje që ata të kthehen menjëherë në shtëpitë e tyre, Rama theksoi se ata nuk kanë bërë asnjë krim dhe se mbajtja e tyre është e pajustifikueshme e duhet të përfundojë. Sipas Ramës, KFOR nuk do të dalë me konkluzione publike, por raportin e saj do t’ia dorëzojë NATO-s.

EDI RAMA KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË: Ajo që mund të them unë, është ajo që thashë. Qysh nga sekonda e parë e daljes së lajmit, ne jemi angazhuar nga të katër anët, nga të gjitha kanalet e mundshme për lirimin një orë e më parë të 3 punonjësve të policisë. Debati mbi shkeljen apo mos shkeljen e të cilëve është i rëndësishëm në nivelin politik, në nivelin e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe në nivelin e marrëdhënieve ndërkombëtare, por nuk ka asnjë rëndësi për 3 burra që janë larg sot shtëpisë së tyre dhe që do të kthehen menjëherë, pastaj debati ishin këtej apo ishin andej dhe konkluzionet përkatëse për të mund të vazhdojnë. Ajo që është me rëndësi është që ata nuk mund të mbahen për shkelje kufiri në Serbi. Duhet të kthehen në shtëpitë e tyre se s’kanë bërë asnjë krim edhe sikur t’a pre supozojmë që janë kapur disa qindra metra në anën tjetër apo në këtë anë, njëra pale thotë kështu, njëra palë ashtu, pala e tretë që merret me këtë punë thotë edhe kështu edhe ashtu, nuk ka asnjë vlerë kjo në raport me ata. Shkelje kufiri do të thotë kthehu prapa. Kaq! Mbajtja e tyre është e pajustifikueshme nëse vazhdon përtej ditës së sotme. Është e pajustifikueshme që në fillim, por po them, duhet të mbarojë. Së pari, është imediate nevoja, domosdoshmëria, urgjenca që të tre punonjësit e policisë së Kosovës të kthehen në shtëpi. Përtej pretendimeve që janë kapur këtu, kanë hyrë atje, janë marrë këtu apo janë gjendur atje, për të cilat KFOR-i nuk do të japë konkluzion publik, por do të depozitojë dosjen përkatëse në NATO, është absolutisht e qartë që në të gjitha rastet, tre efektivët nuk kanë bërë asnjë krim dhe edhe nëse do të supozonim që kanë shkelur vijën e kufirit, shkelja e vijës së kufirit, ka vetëm një përgjigje, kthimin e tyre në shtëpi.

Gjithashtu edhe kryeministri Viktor Orban u pyet në lidhje me tensionet e shtuara pas arrestimit të tre policëve në kufi.

VIKTOR ORBAN KRYEMINISTËR I HUNGARISË: Javën tjetër do të kemi një takim bilateral me Beogradin, pra hungarez dhe serb dhe shpresoj që kjo çështje deri atëherë do të zgjidhet.

Kreu i qeverisë theksoi se zgjidhja në këtë moment është zgjidhja e ofruar nga bashkësia euroatlantike.