Rama: Kurtit po i mbyllet dera në Europë dhe Amerikë, shkak tensionet

 

Për shkak të situatës së tensionuar në veri të Kosovës me serbët lokalë, Kryeministrit Albin Kurti i janë anuluar vizita të planifikuara me homologët në Europë. Kështu ka deklaruar Kryeministri Edi Rama në një konferencë shtypi duke thënë se situata aktualisht e krijuar nga tensionet mes Kosovës dhe Serbisë është shumë e keqe.

KRYEMINISTRI EDI RAMA: Albini nuk e ka dashur ballafaqimin e drejtpërdrejt për këtë temë, sepse lexon sondazhet. Por mendoj që Shqipëria nuk është notere dhe nuk mund të jetë kurrë notere e çdo politike që ndjek Kosova. Aq më tepër nëse Shqipëria quhet si vëllai i madh, detyrimi jonë është të themi të vërtetën në sy dhe të mbajmë qëndrimet tona. Shqipëria është shtet më vete dhe interesat e Shqipërisë për ne janë shumë të qarta. Duke mirëkuptuar arsyet pse ndonjëherë ndodh ndryshe ne s’mund të jemi dakord me çdo gjë dhe pastaj propaganda që mbledhja ishte për qytetarët.

Sipas tij marrëveshjet që ishin gati për t’u firmosur mund të firmoseshin po njësoj pa pasur nevojë të jepnim një shfaqje sikur gjërat janë normal.

KRYEMINISTRI EDI RAMA: Gjërat nuk janë normal, gjërat janë keq dhe unë përpiqem të bëj gjithçka për të shamangur më të keqen. Po bëjnë gjithçka dhe të tjerët. Por të vijë dita që të diskutohet luajaliteti i aleatëve strategjikë ndaj Kosovës është keq, shumë keq.Ju mendoni që mua më jep ndonjë kënaqësi fakti që meqë unë s’jam dakord me Albinin në këtë temë dhe në këtë moment, Albinit nuk i hapet asnjë derë dhe i kthehen mbrapsht edhe vizitat e planifikuara në zyrat e homologëve nëpër Europë? Apo në Amerikë? Përkundrazi, më duket e tmerrshme. Apo që programe të caktuara janë ngrirë të bashkëpunimit të BE me Kosovën. Unë nuk hyj tek ata që i konsideroj ndërkombëtarët dhe partnerët si Zotin vetë. Zoti është mbi ne dhe mbi ndërkombëtarët, Zoti është mbi Amerikën është dhe mbi Shqipërinë. Por ama në këtë rast është katastrofë që të këputen në këtë farë feje lidhjet aq të rëndësishme me bashkësinë euroatlantike. Unë jam i gatshëm të takohem me Albinin në çdo moment. Në nivelin personal s’ka asnjë problem, zero