Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiç pranon organizimin e sulmit në Banjskë. Jep dorëheqjen

Nënkryetari i Listës Serbe Milan Radojçiç ka dhënë dorëheqjen pas përfshirjes në sulmin terrorist në Veri, i cili i mori jetën një efektivi të Policisë së Kosovës.

Lajmi është konfirmuar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Përmes një interviste për televizionin kombëtar spanjoll, TV Espanjola, udhëheqësi serb tha se Radojçiç ka dhënë dorëheqjen nga detyra e nënkryetarit të Listës Serbe pasi nuk dëshiron të dëmtojë më tej këtë forcë politike.

Radojçiç nuk dëshiron ta dëmtojë më tej Listën Serbe”, tha Vuçiç.

Vetë Radojçiç ka pranuar se ka qenë në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator dhe se ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite.

Deklarata e tij u lexua nga avokati Goran Petronijeviç për publikun nga Beogradi.

“Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e
tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time”.

Duke lexuar letrën, avokati tha se për veprimet e tij, Radojçiç nuk ka njoftuar strukturat qeveritare serbe apo atyre politike lokale në veri të Kosovës.

“Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atiji terror”, ka thënë ai, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Autoritetet e Kosovës akuzojnë Radojçiçin se ka organizuar dhe ka qenë pjesë e sulmeve ndaj Policisë në Banjskë. Përmes disa videove të publikuara nga ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, Radojçiç duket në mesin e sulmuesve në ndërtesën ku po qëndronin në 24 shtator.

Të dielën, në orët e para të mëngjesit, një grup prej 30 serbësh (sipas autoriteteve në Kosovë) sulmuan Policinë e Kosovës në veri dhe lanë të vdekur policin Afrim Bunjaku dhe plagosën një tjetër. Sulmuesit u vendosën më pa në manastirin e Banjskës, ku ndërhynë pas disa orësh forcat e KFOR dhe EULEX, duke çliruar manastirin. Gjatë aksionit, u vranë tre nga sulmuesit dhe u plagosën dy të tjerë.