Mirosllav Lajçak, nis vizitën dy ditore në Prishtinë

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak,  nisi vizitën dyditore në Prishtinë, që synim ka përgatitjet për rundin e ri të dialogut.

Fillimisht u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Më vonë gjatë ditës, është paraparë edhe një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ai do të takohet edhe me përfaqësuesit e partive opozitare. Sipas BE-së, pas qëndrimit në Kosovë, më 13 dhe 14 mars, Lajçak do të vizitojë Beogradin.

Vizita e Lajçakut në Prishtinë dhe Beograd pason takimin e 27 shkurtit, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e pranuan planin evropian për normalizimin e raporteve. Bartësit e dialogut, po ashtu, u shprehën të gatshëm të punojnë në planin për zbatimin e këtij propozimi.

Rundi i ri i dialogut është caktuar të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe sipas BE-së, qëllimi kryesor tani është që palët të arrijnë pajtim rreth një plani si dhe modaliteteve për zbatimin e propozimit evropian.