Millorad Dodik kërkon nga BE tërheqjen e njohjes si shtet të Kosovës
Shumica e deputetëve të entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë kane miratuar “Rezolutën për mbrojtjen e serbëve në Kosovë si dhe për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Serbisë”. Republika Sërpska ftoi shtetet, anëtarët e OKB-së, të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, që të tërheqin njohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Presidenti i Republikës Sërpska Millorad Dodik nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe ka raporte të ngushta me zyrtarët në Kremlin dhe Beograd.
Për shkak të kundërshtimit të përfaqësuesve politikë nga Republika Sërpska, Bosnje e Hercegovina ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, dhe të dyja shtetet aplikojnë regjim të vizave për qytetarët e vendeve respektive.
Teksti i rezolutës mbështet të drejtën e Serbisë “për të mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin, që garantohet nga ligji ndërkombëtar” dhe rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara. Në tekst thuhet se Republika Sërpska “dënon aktivitetet terroriste të shqiptarëve të Kosovës dhe autoriteteve të tyre, të cilat paraqesin kërcënim për paqen ndërkombëtare dhe sigurinë”.
Përveç rezolutës u miratuan edhe konkluzione, përmes së cilave, Republika Sërpska fton shtetet, anëtarët e OKB-së, të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, që e njohin pavarësinë e Kosovës, të shqyrtojnë vendimin e tyre dhe të tërheqin njohjen për Kosovën.
Republika srpska do ti dërgojë konkluzionet në Asamblenë e Përgjithshme dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe në Parlamentin Evropian. Kjo çështje u propozua që të vendosej në agjendën e Parlamentit të Republikës Sërpska pas rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
BURIMI: KLAN NEWS
GAZETAR: VLADIMIR LAME