Si pasojë e sulmeve një zyrtar policor i PK-së ka pësuar lëndime kryesisht të lehta.
Gjatë veprimeve policore në një lokacion banimi i cili është përdorur nga sulmuesit, janë gjetur pajisje logjistike, mjete të dyshuara ushtarake, uniforma ushtarake si armë dhe municion të kalibrave të ndryshëm.
Po ashtu njësitet policore gjatë ushtrimit të pikë kontrollit rutinë të automjeteve, në zonën e fshatit Rudare ka ndaluar katër persona të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, të cilët dyshohet se ndërlidhen me grupet kriminale, ku të gjitha veprimet e mëtejme ndaj tyre do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Informacionet zyrtare të deritanishme konfirmojnë vrasjen e tre sulmuesve, arrestimin e një sulmuesi, arrestimin e katër personave të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve, si dhe identifikimin e një sasie të konsiderueshme të armeve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme.
Policia e Kosovës vazhdon t’iu bëjë thirrje grupeve kriminale që të dorëzohen para organeve të drejtësisë dhe njëkohësisht fton qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit, në interes të qetësimit të situatës dhe sigurisë së përgjithshme.
Hetimet dhe ekzaminimi i vendit të ngjarjes po vazhdon në bashkëpunim dhe koordinim me të gjitha institucionet relevante, përfshirë Inspektoratin Policor të Kosovës”.
Paraprakisht mendohet se grupi i kriminelëve serbë përbëhet nga njësia speciale “Kobra” dhe “Brigada 72”. Ende nuk ka një konfirmim nga policia e Kosovës për këto të dhëna të fundit.
Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (e diel) është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku ndërsa polici tjetër Alban Rashiti ka mbetur i plagosur.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku është sulmuar patrulla policore.