Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në Kuvend ka dorëzuar propozimin për riformatimin e Qeverisë, sipas së cilit do të ketë ndryshime kadrovike në katër Ministri.
Riformatimi ndodh pas marrëveshjes për hyrjen e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, parti e cila fiton tre vende ministrash, dy nga Alternativa dhe një nga LSDM-ja. Për Ministër të Drejtësisë, në vend të Nikola Tupançevskit nga LSDM-ja, është propozuar Krenar Lloga; Ministër i Shëndetësisë është propozuar Fatmir Mexhiti i ASH-së në vend të Bekim Salit nga Alternativa.
Ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë është propozuar Azir Aliu nga ASH-ja, në vend të Admirim Alitit nga Alternativa, ndërsa në vend të Naser Nuredinit nga BDI-ja si Ministre e Ambientit Jetësor është propozuar Kaja Shukova e LSDM-së.
Ndryshimet në qeveri janë bërë pasi Maqedonia e Veriut duhet të ndryshojë Kushtetutën për përfshirjen e pakicës bullgare në të, si popull shtetformues, në të kundërtën Sofja sërish mund të bllokojë vazhdimin e bisedimeve mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut. Ky obligim për autoritetet maqedonase parashihet me marrëveshjen mes dy vendeve që bazohet në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike mes dy vendeve.