Referendumi atëkohë u bojkotua nga shqiptarët, të pakënaqur me pozitën e tyre, dhe të cilët më 11 dhe 12 janar 1992 organizuan një referendum paralel për Autonomi Politiko Territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni.
Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991. Hije në ngjarjet me të cilat u vendosën themelet e Maqedonisë së pavarur, hodhi bojkotimi i referendumit nga ana e një pjese të bashkësisë etnike shqiptare dhe mospërkrahja e Kushtetutës së re nga deputetët shqiptarë. Dhjetë vite më vonë Kushtetuta u plotësua pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Shtetësinë e Maqedonisë e para e njohu Republika e Bullgarisë, pas çfarë pasuan njohjet nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë e Hercegovina.
Shteti u pavarësua monetarisht me vendosjen e denarit më 26 prill 1992, e më pas fitoi edhe Armatën e vet, e cila ditëlindjen e feston më 18 gusht.
Subjektiviteti ndërkombëtar-juridik i shtetit definitivisht u konfirmua më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Maqedonia u pranua si anëtare e 181-të në Organizatën botërore. Megjithatë për shkak të kundërshtimeve dhe presioneve të Greqisë, për shkak të emrit, anëtarësimi në KB u bë nën referencën e përkohshme Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.
Marrëveshja për zgjidhjen e kontestit me Greqinë ishte arritur më 17 qershor 2018, sipas së cilës vendi emërtohej si Maqedonia e Veriut.
Maqedonia e Veriut deri tani ka vendosur marrëdhënie diplomatike me mbi 170 shtete në botë.
Gjatë viteve të kaluara të pavarësisë Maqedonia e Veriut kaloi në një sërë problemesh dhe vështirësish, derisa më 30 mars 2020 u bë anëtarja e tridhjetë e NATO-s, kurse këtë vit edhe zyrtarisht nisi procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.