Lirimin e tre policëve të Kosovës, Kryeministri Edi Rama e konsideron një lajm të mirë, edhe pse të vonuar. Sipas tij, ky veprim i rihap rrugën çtensionimit dhe dialogut.
“Kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi është një lajm i vonuar, po gjithsesi shumë i mirë, sepse e para, i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që s’kanë kryer asnjë krim dhe e dyta, rihap rrugën e de-eskalimit e të dialogut. Më vjen mirë që forca e arsyes fitoi mbi arsyen e forcës. Uroj që me forcën e arsyes të nisë menjëherë de-eskalimi i shumëpritur nga të gjithë dhe të zgjidhim më tej edhe nyjet e procesit të normalizimit përfundimtar mes Kosovës e Serbisë”, tha Rama në Twitter.
E teksa përgatitet të takohet me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, Rama tregon në rrjetet sociale se do t’i shprehë atij shqetësimin e madh dhe bindjen e tij të plotë mbi domosdoshmërinë e një konference pa afat kohor të dy liderëve të Kosovës dhe Serbisë .
“Sapo kemi mbërritur në Bruksel, ku pas pak do të takohem me Presidentin e Këshillit Europian, mikun e çmuar të Shqipërisë dhe rajonit tonë, Charles Michel. Do t’i përcjell mikut tonë shqetësimet e mëdha për situatën kritike në rajon dhe bindjen time mbi domosdoshmërinë e një konference pa afat kohor, ku të mbyllur brenda mureve të një strukture mikpritëse nën kujdesin e bashkësisë euro-atlantike, liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllin krejt pikat e marrëveshjes së normalizimit”, shkruan Rama.
E sa i takon palëve në proces, për kryeministrin, të dy i kanë sytë në politikën e brendshme nacionaliste. E teksa ata i kanë kthyer kurrizin dialogut, për kryeministrin Edi Rama situata në veri po degradon shumë shpejt duke rritur mundësinë e një “Donbasi” ballkanik. E kjo, sipas tij, është katastrofike vetëm po ta mendosh, prandaj duhet eliminuar me çdo kusht. Rama thekson se miopia strategjike në qasjen e dialogut mund t’i kushtojë gjithë rajonit, por sidomos Kosovës.
“Fatkeqësisht, së fundmi të dyja palët i kanë sytë tek fronti i politikës së brendshme dhe tek sondazhet e përflakura nga retorika nacionaliste. Ndërsa dialogut jetik për të ardhmen e krejt rajonit dhe marrëdhënieve me botën demokratike u kanë kthyer kurrizin. Ndërkohë situata në Veri degradon me orë e me minuta, duke rritur edhe mundësinë e largqoftë një “Donbasi” ballkanik mu në zemër të Europës. Kjo mundësi edhe vetëm ta mendosh është katastrofike, prandaj duhet eliminuar me çdo kusht. Miopia strategjike në qasjen ndaj dialogut, zvarritja e planit të shkëlqyer franko-gjerman, devijimi i fokusit tek demonstrimet e forcës dhe si rrjedhojë, degradimi i situatës në Veri, mund t’i kushtojnë gjithë këtij rajoni, Serbisë padiskutim, po sidomos Kosovës më shumë se çdokujt tjetër, një kthim i mosozotshëm mbrapa, me pasoja shumëvjeçare”, tha ai.
Prandaj, ai thekson se Shqipëria do të bëjë çmos që paqja e brishtë e ndërtuar në gjithë këto vite .
“Shqipëria do të bëjë çmos që kjo të mos ndodhë, sepse do të ishte një çmenduri që paqja e brishtë që kemi ndërtuar përgjatë këtyre viteve, në kuadrin e Procesit të Berlinit dhe përmes nismash të ndryshme, të rrënohet si kështjellë rëre nga rikthimi i dallgës së marrëzisë ballkanike, duke na rihedhur të gjithëve jashtë rrugës së integrimit europian, në fuçinë e vjetër të barutit në mes të Europës”, u shpreh Rama.