Kurti: Nuk dua të krijoj struktura paralele në veri të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit në Bratislavë tha se nuk mund t’i urdhërojë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, të kalojnë në zyra të tjera, jashtë objekteve komunale. Një gjë e tillë është kërkesë e protestuesve serbë që i kundërshtojnë kryetarët shqiptarë, por edhe e komunitetit ndërkombëtar, i cili thotë se ky veprim do t’i ulte tensionet.

ALBIN KURTI PRESIDENT I KOSOVËS: Nëse tani do t’i urdhëroja kryetarët të kalonin në zyra të tjera, do t’i binte sikur po angazhohem në krijmin e strukturave paralele ndaj strukturave paralele. Unë nuk mund të ulem në zyrë si kryeministër dhe t’iu them kryetarëve në veri: ju nuk duhet të qëndroni në objektet e komunës. Unë e di se mund të qëndrojnë shumë më shkurt sesa që është mandati i tyre, ata janë teknikë, administrativë.

Kjo është një përgjigje direkte e kryeministrit ndaj kërkesave që Shtetet e Bashkuara i drejtuan qeverisë së Kosovës një ditë më parë. Këto kërkesa, të bëra përmes ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier janë që Qeveria: të mos insistojë që kryetarët të punojnë nga ndërtesat komunale dhe t’i tërheqë zyrtarët policorë nga tri ndërtesat e komunave në veri.

“Ne nuk e kuptojmë pse nuk mund të shfrytëzohen lokacione alternative, apo ndërtesa tjera publike, për kryerje të funksioneve të tyre”, tha Hovenier, duke kujtuar se kryetarët e komunave në fjalë janë betuar në lokacione alternative. Kurti gjithashtu i mbrojti veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Ai e përsëriti këtë qëndrim përkundër reagimit të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare se instalimi me forcë i kryetarëve shqiptarë “është i papranueshëm”.

ALBIN KURTI PRESIDENT I KOSOVËS: Nëse duan protesta paqësore, me kërkesë për zgjedhje të parakohshme, ata e kanë një kryeministër që ka qenë gjithë jetën aktivist politik dhe është më shumë se i gatshëm t’i dëgjojë dhe ndoshta të pajtohet me ta. E para të dalim nga kjo krizë në veri: që do të thotë sundim i ligjit, bandat ose të kthehet prapa në Serbi ose të jenë në burg në Kosovë, si dhe, të zvogëlojmë numrin e Policëve në objektet komunale dhe të normalizojmë situatën. E dyta rrugë është zbatimi i menjëhershëm dhe pa kushte i marrëveshjes bazë me të cilën jemi pajtuar me Serbinëtha po ashtu Kurti.

Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb. Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një bashkëbisedim me gazetarë u shpreh se, qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë se “stërvitjet ‘Defender Europe 2023 kanë marrë fund.