Takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, është caktuar për të martën, 4 prill, kanë konfirmuar zyrtarët e Bashkimit Evropian. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, do të shkojnë javën e ardhshme në Bruksel për të diskutuar për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ky takim do të organizohet me ftesë të ndërmjetësuesit të dialogut, Mirosllav Lajçak. Takimi i negociatorëve kryesorë është i pari pas takimit në Ohër, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë arritur pajtueshmëri për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve.
Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, ka raportuar për rezultatin e takimit në Ohër, para ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, si dhe para udhëheqësve të shteteve të bllokut evropian. Në samitin e mbajtur më 23 dhe 24 mars në Bruksel, liderët e BE-së kanë përshëndetur marrëveshjen e arritur nga liderët e Kosovës dhe Serbisë, dhe u kanë bërë thirrje të dyja palëve të “përmbushin obligimet e tyre në mënyrë të shpejtë dhe në mirëbesim”.