Kam marrë kërcënime!/ Presidentja Osmani refuzon dekretimin e kandidatit për kryeprokuror të shtetit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani refuzoi dekretimin e kandidatit për kryeprokuror të shtetit.

Sipas saj, ka shkelje të shumta në procedurën e përzgjedhjes së kandidatit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Në një deklaratë për mediat, Osmani tha se ka marrë kërcënime për të dekretuar kryeprokurorin.

“Ka pasur persona ku njerëz shkruanin mesazhe të tilla se do të të lidhim, do të ngrisim aktakuzë” ka thënë Presidentja e Kosovës”, u shpreh Presidentja e Kosovës.

Procesi i dekretimit të kandidatit Blerim Isufaj, ka disa muaj që kishte mbetur pezull. Presidenca thotë se ka kryer vlerësimin ligjor për të dhe ka vendosur të refuzojë kandidaturën.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shkroi në Facebook se vendimi i Osmanit është në linjë me qëndrimet e shprehura nga organizatat joqeveritare, ambasadat, Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe Komisioni Evropian. “Këshilli Prokurorial ka dështuar të udhëheqë një proces të bazuar në meritokraci dhe integritet“, shkroi ai.

Të zhgënjyer me procesin e përzgjedhjes vitin e kaluar janë shprehur edhe Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara.

Me ligjin në Kosovë, kryeprokurori duhet të dekretohet nga presidenti i shtetit. Në garë për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, përveç Blerim Isufajt, kanë qenë edhe Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

Kryeprokurorit të deritashëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka skaduar mandati më 21 prill, 2022. Aktualisht, ushtrues i detyrës është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit të Shtetit.