Ilir Proda takimin rajonal në Mal të Zi: Shqipëria finalizoi 4 operacione masive kundër trafikimit të qenieve njerëzore

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, mori pjesë në takimin rajonal të drejtorëve të përgjithshëm të policive të Ballkanit, të zhvilluar në Mal të Zi. Ky takim, i mbështetur nga organizata dhe agjenci ndërkombëtare si INTERPOL, EUROPOL, FRONTEX, EU4FAST, EUDEL dhe GIZ, kishte në fokus luftën kundër trafikimit të emigrantëve, harmonizimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian dhe ndërtimin e databazave të përbashkëta.

Në fjalën e tij, Proda vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm rajonal dhe theksoi se vetëm gjatë vitit të fundit Shqipëria ka finalizuar 4 operacione të mëdha në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Ai shtoi se përballja me këtë veprimtari kriminale është zhvendosur tashmë në një realitet të ri – në hapësirën virtuale. Për këtë arsye, sipas tij, është e domosdoshme ndërtimi i kapaciteteve moderne dhe të kombinuara për të identifikuar, ndjekur dhe ndaluar këtë fenomen. Proda kërkoi që bashkëpunimi të mos mbetet vetëm në nivel policor dhe operativ, por të shtrihet edhe në unifikimin e sistemeve dhe databazave, në mënyrë që verifikimet të bëhen më të shpejta dhe më efikase.

Drejtori i Policisë së Shtetit nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përdorimit të standardeve të njëjta të komunikimit ndërmjet sistemeve të teknologjisë së informacionit, si dhe domosdoshmërinë për investime më të mëdha në infrastrukturën dixhitale dhe komunikim të sigurt mes vendeve të rajonit.