Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se diplomatët perëndimorë e kanë paralajmëruar atë në muajin janar se çfarëdo refuzimi i propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, do të shoqërohej me hapa ndëshkues për Kosovën.
Ai i bëri këto komente gjatë një debati në parlamentin e Kosovës të ftuar nga Partia Demokratike e Kosovës mbi zhvillimet në procesin e bisedimeve me Serbinë.
“Ata ma bënë të qartë që propozimi kryesor këtë herë është fare pranë formatit merre ose lëre, nuk do të lejohet praktikisht hapja apo negociimi i tij. Qëndrimi i tyre ishte që i tërë aparati diplomatik e politik i shteteve nga vinin emisarët është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe nuk mund të pritet një jo nga Kosova, sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta. Ata gjithashtu ma bënë të qartë se çfarëdo refuzimi i propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues e ndëshkues diplomatik për Kosovën dhe do të krijoj dobësim serioz të mirëbesimit ndërmjet nesh dhe shteteve të tyre”, tha ai.
Kryeministri Kurti tha se qëndrimi i tij në takimin me të dërguarit ameirkanë dhe evropianë më 20 janar në Prishtinë ishte që propozimi kryesor është parimisht i pranueshëm por duhet përfshirë më shumë “elemente garantuese dhe siguresa të efektivitetit”.
“Pas vizitës së lehtësuesit Lajçak me gjashtë shkurt 2023 dhe qartësimit të disa prej mekanizmave dhe elementeve të sekuencimit që do të negociohen në kuadër të planit të zbatimit, unë ia konfirmova që propozimi i Bashkimit Evropian është bazë e mirë për bisedime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara. Kjo nënkupton që pranimi i dokumentit kryesor është pa paragjykim nga negociimi i planit të zbatimit, i cili do të duhej të përfshijë elemente që kanë të bëjnë me mekanizmat zbatues, sekuencimin dhe kuptimin e disa prej parimeve që përmenden në propozimin kryesor”, tha kryeministri Kurti.